Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Apeli refuzon ankesën e Prokurorisë Speciale për ish-shefin e OSHP-së

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale në rastin e të akuzuarve Hysni Hoxha, Hysni Muhadri dhe Arsim Robelli. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 27.11.2017, është vërtetuar.

Sipas këtij aktgjykimi, Hysni Hoxha Ish-shefi i OSHP-së dhe Hysni Muhadri, ekspert i brendshëm shqyrtues në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 422, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa Arsim Robelli, kontabilisti i kompanisë “Conex Group”, për “Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje” nga neni 398, lidhur me nenin 31 të këtij kodi, përcjell Koha.net.

Ky vendim ishte marrë pasi që gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar, se me provat e proceduarat në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat janë akuzuar.

Këtë konstatim e përkrah edhe Gjykata e Apelit, e cila po ashtu nuk gjen ndonjë shkelje nga ato që pretendohen në ankesën e prokurorisë.

Kujtojmë se Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të OSHP-së, duke thënë se këtë po e bën për arsye shëndetësore.

Ata kanë qenë të akuzuar për tenderin e ndërtimit të objekteve afariste në lagjen “Pejton” në Prishtinë.