Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apeli kthen në rigjykim rastin “Brezovica 1”

brezovica

Është kthyer në rigjykim nga Apeli rasi i njohur si “Brezovica 1” me të akuzuar Dragomir Milosavljeviq, Hysni Bajrami dhe Labinot Vitija. Sipas Apelit, Gjykata Themelore në Ferizaj vetëm përshkroi provat pa i analizuar ato.

“Nga përmbajtja e arsyetimit rezulton se gjykata e shkallës së parë ka bërë vetëm një përshkrim të përgjithshëm të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa i analizuar ato në mënyrë të veçantë, nuk ka bërë ndërlidhjen e domosdoshme ndërmjet provave konkrete dhe elementeve përbërëse të veprës penale, duke mos sqaruar se në çfarë mënyre nga secila provë e administruar është nxjerrë përfundimi për ekzistimin e elementeve objektive dhe subjektive të veprës penale për secilin të pandehur veç e veç”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Themelorja në Ferizaj më 4 korrik 2024 Dragomir Milosavljeviq dhe Hysni Bajrami për kepërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar i kishte dënuar me nga 1 vit burgim veç e veç dhe dënim me plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik prej 1 viti, ndërsa Labinot Vitijën me 1 vit burgim për veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.

Në këtë rast po akuzohet edhe Gentjan Sula, mirëpo ai po gjykohet ndaras ndaj tre të tjerëve.

Çka thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit?

Fillimisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, si dhe ka kërkuar që Milosavljeviq dhe Bajrami të shpallen fajtorë edhe për dy vepra të tjera penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, vepra nga të cilat janë liruar nga Themelorja.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Milosavljeviq, avokati Dalip Bega, ka kërkuar nga Apeli që klienti i tij të lirohet nga përgjegjësia dhe dënimi i shqiptuar.

Po ashtu, mbrojtësi i Bajramit, avokati Elmaz Zenuni, ka kërkuar nga Apeli që klienti i tij të lirohet nga akuza, ose çështja të kthehet në rigjykim para një trupi tjetër gjykues.

Dhe krejt në fund, ankesë ka paraqitur mbrojtësi i Vitijës, avokati Betim Shala, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim ose Vitija të lirohet nga aktakuza.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërkaq ankesat e mbrojtësve të akuzuarve t’i refuzojë si të pabazuara.

Gjetjet e Apelit:

Apeli, pas analizimit, ka gjetur se vendimit të shkallës së parë i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse me provat personale dhe materiale.

Më tutje, Apeli ka gjetur se nuk janë dhënë shpjegimet e nevojshme lidhur me kontradiktat në përmbajtjen e tyre, gjë që aktgjykimin e bën të pakuptueshëm dhe kontradiktor, e që domosdoshmërisht kushtëzon anulimin e aktgjykimit të ankimuar dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Po ashtu, në arsyetim, Apeli vlerëson se sa i përket fakteve vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme mes asaj që paraqitet në arsyetim të aktgjykimit dhe përmbajtjes së provave të administruara në shqyrtim gjyqësor. Konkretisht, arsyetimi i aktgjykimit në pjesën e vlerësimit të provave është i paqartë, në raport me provat e administruara, duke ndikuar që aktgjykimi të mos jetë i përpiluar në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Apeli ka theksuar se nuk mjafton që në arsyetimin e aktgjykimit të bëhet vetëm listimi apo përshkrimi formal i provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Apeli ka rikujtuar se gjykata është e obliguar që të sqarojë në mënyrë konkrete se cilat fakte janë vërtetuar me secilën provë të veçantë, cilat prova i mori si të besueshme, për çfarë arsye dhe si ka arritur në përfundimin për shpalljen fajtor të të akuzuarit Labinot Vitija për veprën penale për të cilën është akuzuar.

Për Vitijën, Apeli ka gjetur se në dispozitiv të aktgjykimit thuhet se ka ndërtuar katër vikend shtëpiza në zonën e III-të të Parkut Kombëtar Sharri, ndërkaq në arsyetim të aktgjykimit thuhet se ka ndërtuar pesë vikend shtëpiza në zonën II dhe III të parkut kombëtar “Sharri”.

Po ashtu, në aktgjykim thuhet se shtëpizat janë ndërtuar në Zonën III të Parkut Kombëtar “Sharri”, ndërsa në arsyetim konstatohet se ndërtimet janë realizuar në Zonën II dhe III të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Apeli ka gjetur shkelje edhe sa i përket pjesës liruese të aktgjykimit për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, me të akuzuar Milosavljeviq dhe Bajrami.

Sipas Apelit, shkalla e parë ka qenë e detyruar që të japë arsyetim edhe kur personat lirohen nga akuza, obligim ky i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.

Në fillim, Apeli ka rekomanduar të administrojë të gjitha provat personale dhe materiale dhe të vlerësojë me kujdes secilën provë veç e veç, duke i lidhur me njëra-tjetrën.

Tutje, në bazë të vlerësimit të tillë, të nxjerrë përfundim nëse faktet konkrete janë provuar, të rishqyrtojë me kujdes relevancën e fakteve që pretendohet të vërtetohen dhe ndikimin e tyre në vërtetimin e plotë.

Më tutje, veçanërisht lidhur me veprimet e të akuzuarve në raport me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në rastin konkret, varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave, të nxjerrë konkluzione të drejta, të ligjshme dhe të bazuara në provat e administruara dhe në fund të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit, ashtu siç parashihet në dispozitat ligjore.