Surroi: Mirë se vjen në “PIKË”, Daniel Serwer, mik i vjetër, profesor, diplomat, aktivist, nënkryetar i USIP-it qëkur të kam njohur. Njihemi me më shumë se 30 vjet dhe nuk të kam parë kurrë kaq pesimist sa tash. Pse?
Serwer: Jam pesimist për administratën amerikane. Nuk jam pesimist në përgjithësi. Jam pesimist për administratën amerikane, sepse ajo ka braktisur atë që e konsideroja si ndërmarrjen më të rëndësishme të qeverisë amerikane, që është mbrojtja e demokracisë në vend dhe zgjerimi e mbrojtja e demokracisë jashtë vendit.
Në vend, kanë vendosur të përpiqen ta kufizojnë votimin e njerëzve që nuk u pëlqejnë. Dhe kjo është shumë, shumë e qartë. Presidenti është i qartë për këtë. Administrata është e qartë për këtë.
Dhe njëherë që e vendos këtë, nuk mund të vendosësh të mbrosh dhe zgjerosh demokracinë jashtë vendit.
Pra, e pamë ndërhyrjen në Venezuelë. Mund të debatojmë nëse ishte legjitime apo jo. Por nuk kemi parë asnjë demokratizim në Venezuelë, përkundrazi.
Surroi: Ishte prerje koke.
Serwer: Ishte prerje koke. Tash është dikush në krye, që padyshim po i përmbush disa nga kërkesat e Amerikës, por që nuk është aspak më demokratike se paraardhësi i saj. E shohim këtë në faktin se Departamenti i Shtetit në dokumentin e tij për Ballkanin Perëndimor nuk e përmend BE-në. Fakti është se administrata është armiqësore ndaj BE-së dhe e konsideron si kundërshtare, jo vetëm në tregti..., po, jemi konkurrentë në tregti e investime, dhe gjithmonë na është dashur të merremi me atë aspekt të marrëdhënies.
Por nuk ka asnjë kuptim që SHBA -ja ta mbështesë pranimin e Kosovës në BE. Dua të them, BE-ja as nuk përmendet në atë dokument. Ajo nuk ekziston, kur bëhet fjalë për politikën e administratës.
Surroi: Pra, a bëhet fjalë vetëm për këtë administratë, apo mund të argumentojmë se, në fakt, është një ndryshim paradigme? Kohët kanë ndryshuar në mënyrë dramatike.
Edhe
Serwer: Amerika që e keni admiruar nuk është në pushtet sot
Serwer: Kohët kanë ndryshuar dhe nuk mund të jem absolutisht i sigurt për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Natyrisht, Biden kishte treguar disa shenja se ishte i gatshëm të ishte më proteksionist në çështjet tregtare sesa administratat e mëparshme.
Surroi: Dhe madje edhe presidenti Obama ishte i pari që foli për kthesën nga Azi-Paqësori.
Serwer: Po, por kthesa drejt Azi-Paqësorit është tjetër nga kthesa kundër tregtisë së lirë. Këto dy gjëra janë dy çështje të ndryshme në politikën amerikane. Besoj se një pjesë e kthesës në tregti ka gjasë të vazhdojë. Disa nga tarifat vazhduan që nga administrata e parë Trump deri në administratën Biden.
Dhe mendoj se disa prej tyre mund të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Por mendoj se miqësia me BE-në mund të ripërtërihet nëse një president do që ta bëjë këtë. Dhe mendoj se do të duhej. Mendoj se BE-ja ka qenë aset i madh për SHBA-në. Nuk e ndaj mendimin se e mbajmë barrën në formë disproporcionale. Besoj se kjo ka qenë kështu një kohë, por kjo ndryshoi shumë gjatë viteve. Evropianët, natyrisht këtu në Ballkan, mbajtën peshën e madhe të shpenzimeve dhe, përfundimisht, edhe të vendosjes ushtarake. Pra, nuk mendoj se u trajtuam padrejtësisht nga evropianët në Ballkan, përkundrazi. Besoj se i paguan shumë nga faturat tona.
Surroi: Po, por nëse dikush do të argumentonte në realpolitikë, a s’është ky çasti në të cilin Amerika thotë, dhe jo Trumpi, por Amerika, përfshirë presidentin e ardhshëm, thotë, mjaft me shtetndërtim. Nuk do ta bëjmë më. Kontinentet e tjera duhet të marrin përgjegjësi. Ne kemi përgjegjësi ndaj Hemisferës Perëndimore, siç e vendosi Presidenti Monroe shumë kohë më parë. Dhe ne duhet të kujdesemi për aeroportet tona, siç tha Presidenti Trump, dhe jo për aeroportet e shteteve të botës së tretë.
Serwer: Më duket se ka shumë zbrazëtira në këtë argument. Natyrisht, ne gjithmonë duhet të kujdesemi për problemet tona së pari. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Dhe sinqerisht, edhe në kulmin e saj, USAID nuk shpenzonte shumë para jashtë vendit. SHBA-ja shpenzon një përqindje shumë më të vogël të BPK-së ose shpenzon një përqindje shumë më të vogël të bruto prodhimit kombëtar për ndihmë të huaj sesa shumica e shteteve të zhvilluara evropiane. Nuk e ndanim barrën në disproporcion.
Gjithmonë duhet t’i kushtojmë vëmendje hemisferës sonë, natyrisht. Por lloji i vëmendjes që administrata Trump po ia kushton në thelb po i forcon autokratët e Hemisferës Perëndimore.
Surroi: Do të mund të thuhet edhe në Iran me luftën.
Serwer: Po, dhe duke kundërshtuar... Brazili është demokracia më e madhe në Hemisferën Perëndimore, dhe administrata Trump nuk mund ta durojë kryetarin e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike. E kuptoj pse nuk munden. E preferojnë paraardhësin e tij më autokratik.
Natyrisht, gjithmonë ka vend për debat mbi këtë temë, se sa vëmendje duhet kushtuar Hemisferës Perëndimore, sa Azi-Paqësorit, sa Evropës. Dhe balanca e re drejt Azi-Paqësorit ka njëfarë kuptimi. Por për ta bërë këtë, nuk mund të lini katastrofa pas jush dhe nuk mund të krijoni katastrofa.
Do të mund të argumentohej se lufta e parë kundër Iranit pati një ndikim pozitiv sepse shkatërroi shumë nga programi bërthamor. Por lufta e dytë ishte çmenduri. Dhe lufta e dytë vërtet dëshmoi dobësinë amerikane, siç ka shkruar ish-dekani im, Elliot Cohen, në “The Atlantic”. Është një demonstrim gjigant i dobësisë amerikane, paaftësisë në anën diplomatike, por edhe një paaftësie për të parashikuar pasojat e veprimeve të saj. Dhe kështu ne e kemi dobësuar veten në mënyrë dramatike, besoj, dhe ky është një problem i madh.
Por nëse doni të debatoni se sa duhet të shpenzojmë për ndihmë të huaj, sa duhet të shpenzojmë në Azi-Paqësor në vend të Hemisferës Perëndimore apo Evropës, këto janë debate që kanë ndodhur vazhdimisht në SHBA.
Dhe ne duhet t’i zhvillojmë këto debate. Por nuk duhet të bëjmë gjëra që e dobësojnë SHBA-në panevojshëm ose që krijojnë hapësira për kundërshtarët, gjë që kemi bërë.
Surroi: A mund ta përballojë SHBA-ja këtë? A mund ta përballojë SHBA-ja një politikë me të cilën i largon aleatët tradicionalë si evropianët apo të tjerët?
Serwer: Besoj se do ta zbulojmë. Por është tepër budallallëk. Evropa është një aset për SHBA-në. Anëtarët evropianë të NATO-s janë asete. Ne, në fakt, gjithmonë jemi përpjekur t’i kufizojmë kontributet evropiane në NATO nga frika se shtylla evropiane brenda NATO-s do të bëhej shumë e fortë dhe do ta sfidonte udhëheqjen amerikane.
Mendoj se edhe ky ishte një gabim. Mendoj se na duhej një shtyllë evropiane më e fortë brenda NATO-s, dhe tash do ta kemi një të tillë. Por se a do të ketë një sinergji pozitive apo negative me ne, nuk e kam plotësisht të qartë.
Surroi: Tash, për një njeri që pothuajse gjatë gjithë jetën është bërë urë lidhëse mbi hendekun midis SHBA-së dhe Evropës, duke u përpjekur t’i bashkojë të dyja, dhe konkretisht këtë pjesë të Evropës, Ballkanin Perëndimor, nëse kthehemi pas dhe shohim përgjatë 35 vjetësh miqësie, çka ka mundur të kishte shkuar më mirë, e nuk shkoi?
Serwer: Mendoj se Kosova shkoi mjaft mirë. Dhe sinqerisht, hoqëm dorë nga shtetndërtimi në Kosovë, në thelb me pavarësinë ose edhe para pavarësisë.
Ideja se administrata Trump po sjell risi duke hequr dorë nga shtetndërtimi në Ballkan është e marrë. Ne hoqëm dorë nga kjo shumë kohë më parë. Ne hoqëm dorë nga ajo në Bosnjë pas dështimit të pakos së prillit më 2006, dështimit të amendamentimit të Kushtetutës.
Surroi: E cila ishte përpjekja e fundit për ta bërë Bosnjën funksionale.
Serwer: Po. Mendoj se fundi i luftës, kam arritur të besoj, protestova kundër përfundimit të saj kur ndodhi.
Surroi: Fundi i cilës luftë?
Serwer: Fundi i Luftës së Bosnjës. Kur ndodhi, unë isha i dërguari special për Federatën Boshnjake. Federata po e fitonte luftën.
Surroi: Ti ishe ndërlidhësi mes myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve.
Serwer: Po. Dhe kisha një gjeneral në pension që punonte me mua. Nuk mund t’u jepnim këshilla ushtarake, por po punonim për çështje civile-ushtarake dhe gjëra të tilla. Por pa dashje, amerikanëve, me atë bombardimin e fundit të serbëve në Bosnjë, u mbaruan objektivat shumë shpejt, brenda dy ditësh, sepse serbët i parkuan të gjitha tanket dhe pjesët e artilerisë pranë xhamive dhe shkollave.
Dhe kështu ata ndoqën objektiva dytësore dhe tretësore, dhe po, objektiva të nivelit të 4-të, dhe ato ishin nyjat e komunikimit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Papritur, kur i goditëm ato, në fakt e shkatërruam të gjithë Ushtrinë serbe të Bosnjës, sepse në fakt ishte një ushtri mjaft e vogël, dhjetëra mijëra. Ushtria boshnjake ishte shumë, shumë më e madhe. Kishte mbi 300 mijë pjesëtarë ishin kryesisht qytetarë shndërruar në ushtarë, me angazhim të pjesshme shumë prej tyre, por kishte shumë. Serbët kishin arritur të kontrollonin vijën e konfrontimit gjatë luftës, kryesisht duke lëvizur trupat e tyre shumë shpejt sepse kishin komunikime jashtëzakonisht të mira që ishin komunikime të klasifikuara. Kur i qëlluam nyjat e komunikimit, u ç’artikuluan.
Dhe forcat e Federatës, të cilat nuk ishin, nuk luftuan me njëra-tjetrën. Kjo shpesh kritikohej, ata luftonin paralelisht dhe bënin garë, sepse secila palë mendonte se nëse mund ta merrte një qytet, nëse mund ta merrnin Bugojnën, do të mund ta mbanin për vete Dhe ushtria kroate po e ndihmonte shumë HVO-në nga prapa.
Kjo formulë për marrjen e territorit është në të vërtetë pikërisht ajo që bënë britanikët dhe amerikanët në Afrikën e Veriut gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku garuan për territor. Dhe funksionoi. Dhe funksionoi çuditërisht mirë, aq, sa shumë pak njerëz po vriteshin në fund të luftës. Serbët po përgatiteshin ta braktisnin Banjallukën.
Dhe unë isha në Stuttgart, duke u konsultuar me ushtrinë amerikane, siç kisha bërë në disa udhëtime të tjera në Bosnje me këshilltarin tonë ushtarak, kur më urdhëruan të tërhiqesha dhe të mos shkoja në Bosnje sepse “hyrja jonë do t’i inkurajonte ata të vazhdonin të sfidonin armëpushimin”. Ju lutem!
Holbrooke kishte vendosur se do ta mbështeste armëpushimin. Galbraith thoshte për arsye humanitare, por në të vërtetë shumë pak njerëz po vriteshin. Problemi ishte se nuk mund ta kapnin URS-në. Nuk mund të lëviznin dhe të konsolidonin kontrollin mjaftueshëm shpejt.
Surroi: Po iknin!
Serwer: Popullsia e Banjallukës do të largohej ashtu siç kishin bërë serbët e Kroacisë vetëm disa muaj më parë. Dhe kishte njëfarë shqetësimi se kroatët do të përpiqeshin ta merrnin Banjallukën dhe ta mbanin. Ky ishte një shqetësim tjetër i amerikanëve.
Në atë situatë, unë dhe këshilltari ushtarak protestuam deri në nivelin e Nënsekretarit të Shtetit. Thamë se donim të hynim. Nuk do të na besonin më kurrë nëse nuk do ta bënim. Natyrisht, nuk e dinim që lufta po mbaronte. Por njëmend protestuam fuqishëm, por gojarisht. Pendohem sot e kësaj dite.
Surroi: Që nuk e ke shkruar.
Serwer: Që nuk e kam shkruar porosinë e protestës, të mospajtimit që duhej ta kisha shkruar. Por pse nuk e bëra? Më duhet ta pranoj.Nuk e bëra sepse e mendova, e gjithë ideja, e dija tashmë idenë e Daytonit, të ndarjes së Bosnjës midis dy entiteteve.
Dhe, sinqerisht, besoja se nuk do të funksiononte. Dhe shumë prej nesh menduam njësoj. Edhe ne kishim protestuar kundër kësaj ideje, muaj më parë, kur iu paraqit për herë të parë stafit të Departamentit të Shtetit. Dhe, i thashë vetes, mund të shkruaj një porosi mospajtimi, por nëse njëmend besoj se kjo është kullë prej letre e nuk do të funksionojë, pse duhet ta sakrifikoj karrierën time për diçka që...
Surroi: Nuk do të funksionojë edhe ashtu...
Serwer: Tash do të doja, natyrisht, që ta kisha shkruar një porosi mospajtimi..., por e kaluara nuk kthehet Megjithatë, ajo që do të kishte ndodhur, dhe këtu lind një problem më serioz, ajo që do të kishte ndodhur është se forcat e Federatës do të kishin pushtuar dhe përfshirë Bërçkon sepse po lëviznin shumë shpejt, nuk do të kishte pasur rezistencë serioze para Bërçkos, dhe kroatët ishin të vendosur ta merrnin Bërçkon, sepse kishte kroatë atje afër.
Por kroatët nuk do të kishin shkuar në Bosnjën lindore. Nuk kishte kroatë atje, dhe ata nuk do të luftonin për Bosnjën Lindore me boshnjakët. Forcat boshnjake do të kishin pasur shumë telashe në Bosnjën Lindore sepse terreni atje është i tmerrshëm për luftime. Serbët do t’i kishin konsoliduar forcat e tyre Dhe me shumë gjasa, serbët do të kishin ardhur në Washington dhe do të kishin thënë, na jepni Bosnjën Lindore, ne do ta pranojmë atë. Dhe tundimi nga ana e amerikanëve në atë pikë...
Surroi: Do të kishte qenë ndarje.
Serwer: Po, ndarja dhe është diçka që unë definitivisht nuk e doja. Por pse nuk e doja unë? Komunat kryesore të Bosnjës Lindore ishin të gjitha me shumicë myslimane para luftës, jo me shumicë serbe.
Po, janë buzë Drinës, po, Drina nxit ndjenje romantike për serbët, por ato komuna, ato kryesoret, ishin të gjitha me shumicë boshnjake. Njëmend mendova se ky do të ishte një fund i keq për luftën.
Por mendimi im në atë kohë nuk shkoi aq larg. Dua të them, kryesisht unë po protestoja vetëm kundër asaj që mendoja se do të ishte një armëpushim i dështuar që do të minonte besueshmërinë e këshilltarit ushtarak dhe timen në raportet me ushtrinë e Bosnjës në të ardhmen.
Surroi: Pse jemi të bllokuar me konflikte të papërfunduara në shekullin e 21-të?
Serwer: Sepse ne pëlqejmë t’i negociojmë ato në vend që t’i përfundojmë me...
Surroi: Ushtarakisht?
Serwer: Ushtarakisht. Dhe ka arsye të mirë për këtë. Shumë njerëz vriten në këto gjëra. Jo shumë njerëz vriteshin në fund të Luftës së Bosnjës. Dhe sinqerisht, as në Kosovë nuk u vranë aq shumë njerëz.
Surroi: Dhe Kosova u zgjidh ushtarakisht.
Serwer: Kosova u zgjidh ushtarakisht.
Surroi: Nga NATO-ja, natyrisht.
Serwer: Po, ishte. Përshtypja ime është se serbët kishin mësuar nga Bosnja se mbledhja e njerëzve dhe dërgimi i tyre në kampe përqendrimi është ide mjaft e keqe sepse të jep shumë publicitet të keq. Kështu që...
Surroi: Si Omarska dhe...
Serwer: Po. U treguan të mençur. Në Kosovë, merrnin një qytetar të shquar, e çonin në mes të sheshit dhe e vrisnin një plumb në kokë. Dhe plot njerëz largoheshin nga qyteti.
Nuk e di, ti ishe këtu, e di më mirë se unë. A ishte e vërtetë kjo?
Surroi: Natyrisht. Nga Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij në ditën e parë dhe shumë njerëz të tjerë, po.
Serwer: Po më kujtohet profesori Çaushi.
Surroi: Po, Bardhyl Çaushi.
Serwer: Serbët tregoheshin më të mençur: nuk përpiqeshin të vrisnin shumë njerëz, po përpiqeshin të zhvendosnin shumë njerëz, pa e përfshirë logjistikën e tyre. Ishin shumë të lumtur kur shihnin njerëz të hipnin në trena, të hipnin në traktorë dhe të largoheshin
Surroi: Me një kallashnikov pas shpine, natyrisht.
Serwer: Po. Dhe kjo u funksionoi më mirë, sinqerisht.
Surroi: Sidoqoftë, lufta u fitua ushtarakisht nga NATO-ja. Pse pra duhet çerekshekulli për të vazhduar ende me një konflikt të papërfunduar? Pse duhet të kalojmë nëpër cikle në të cilat Millosheviqi rindizet apo rizbulohet?
Serwer: Atë që duhet vlerësuar është se amerikanët, para përfundimit të luftës në Kosovë,
nuk e kishin një përkushtim të qartë dhe paekuivokë për pavarësinë e Kosovës.
Pra, ata ishin të gatshëm të negocionin diçka më pak se kjo me Millosheviqin, dhe kjo është ajo që bënë.
Surroi: Edhe me rusët.
Serwer: Po, edhe me rusët. Ata kishin problem me rusët sepse ndërhyrja nuk ishte autorizuar nga Këshilli i Sigurimit.
Surroi: Në mënyrë eksplicite.
Serwer: Dhe kishte shqetësime për këtë. Dhe sinqerisht, mendoj se kishte shqetësime të mira. Nuk ishte mënyra se si do të kishim preferuar të vepronim. Por ishte momenti unipolar.
Dhe ne vepruam. Dhe mendoj se kishte njerëz që mendonin, ne bëmë atë që duhej të bënim, por tash, hajde jo bash t’i kompensojmë serbët e rusët, por të mos shtyjmë shumë.
Sepse nuk e kishim përkushtimin për pavarësi, që u shfaq më vonë kur serbët refuzuan ta bënin unitetin tërheqës.
Surroi: Një nga miqtë tanë të përbashkët, Thanos Veremis, në Greqi, e mbështeti që në fillim dhe kishte një arsye të mirë. Ai tha se duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës që më 2000, përndryshe do t’ia lëmë këtë brezit pas Millosheviqit, e ky brez nuk do të duhej të ngarkohej me këtë problem.
Serwer: Sepse nuk e dinte se brezi pas Millosheviqit do ta përfshinte Aleksandar Vuçiqin. Dhe mendoj se kjo ka bërë dallimin e madh. Isha mes atyre që e pritën Vuçiqin në Washington, ia organizuam paraqitjen e tij të parë publike në SAIS në Johns Hopkins.
E pati një paraqitje shumë të mirë. E sfiduan për Kosovën dhe pavarësinë e saj, dhe ai tha, sinqerisht, se nuk po premtonte pavarësi për Kosovën, se tregonte njëfarë paqartësie se si do ta trajtonte çështjen, por nuk ishte agresiv ndaj kësaj çështjeje.
Surroi: Kjo ishte 2012-ta a 2013-ta, apo?
Serwer: Po, diçka e tillë. Më vjen keq, e kërkova dhe nuk më kujtohet data tani.
Por ai, tash e ka bërë të qartë se skenari që i pëlqen është si ai i Azerbajxhanit që e ktheu sërish Nagorno-Karabahun. A mund ta bëjë këtë me të gjithë Kosovën? Jo. Kjo është mjaft e qartë. Kushdo që ka qenë këtu mund ta shohë se kosovarët do ta mbronin këtë në mënyra që do ta bënin jetën e Serbisë shumë të pakëndshme. A mund ta provojë ai në veri?
Serwer: Parandalimi i luftës civile ishte një nga gjërat më të mira që kam bërë në Kosovë
Surroi: E bëri tashmë.
Serwer: Sidomos nëse ai mund të shpikë një arsyetim, një lloj veprimi nga shqiptarët kundër serbëve, që t’i thotë NATO-s, po i dërgoj tanket e mia sepse duhet t’i mbroj këta njerëz. Ai e ka bërë këtë shumë të qartë.
Dhe nuk pajtohem me amerikanët që e pranojnë sjelljen vërtet të dënueshme të Vuçiqit ndaj korrupsionit, për trajtimin e studentëve demonstrues, nën sloganin e stabilitetit. Në përgjithësi nuk pajtohem me hipotezën e stabilizokracisë, sepse mendoj se para se të vërtetohet kjo hipotezë, duhet folur me Gjukanoviqin, Gruevskin, Alija Izetbegoviqin, asnjëri prej të cilëve nuk u mbrojt, dhe disa prej të cilëve u rrëzuan nga amerikanët dhe evropianët.
Pra, ideja që ne në përgjithësi mbështesim stabilitetin në Ballkan sido që të jetë, mendoj se është e pakuptimtë. Ne kemi mbështetur ndryshimet demokratike në një numër vendesh, por në Serbi, mendoj se është e vërtetë. Dhe ishte veçanërisht e vërtetë gjatë administratës së Bidenit, për habinë time të madhe.
Dhe tash administrata Trump nuk e ka përqafuar Vuçiqin, kjo është e vërtetë, por ata gjithashtu nuk e kanë kritikuar atë, as nuk kanë marrë ndonjë pasojë për Banjskën, për trazirat kundër trupave të NATO-s, apo për rrëmbimin e dy policëve të Kosovës.
Surroi: Sepse në përgjithësi ata nuk janë përfshirë në Evropë, ose të paktën në këtë pjesë të Evropës.
Serwer: Mendoj se është e vërtetë. Pra, nëse flet me njerëz në Departamentin e Shtetit, të tregoj se çka më thonë: vendimi i madh që kanë marrë është të mbështeten te njerëzit vendas dhe udhëheqja vendase. Dhe kjo është ajo që ata planifikojnë të bëjnë.
Surroi: Pavarësisht kredencialeve të tyre demokratike.
Serwer: Ky është problemi, se gjithçka varet nga ata që zgjidhni si udhëheqës lokalë. Gjithmonë është varur nga kjo. Dhe, të zgjedhësh Dodikun në një mënyrë që është kaq qartësisht e korruptuar është skandaloze.
Dhe natyrisht, nuk kam dyshim se Vuçiqi në një moment do të bëjë një ofertë që ata nuk mund ta refuzojnë. Nuk ka asnjë arsye pse ftohtësia ndaj tij duhet të vazhdojë përgjithmonë nëse ai e kupton se si të ofrojë çmimin e duhur.
Pra, ajo që do të kemi është hala Vuçiq në pesë vitet e ardhshme, nëse shkon në zgjedhje, në të cilat do të shkojë, dhe i fiton ato zgjedhje, e cila duket se do të ndodhë. Mendoj se ky është rezultati i mundshëm. Kam folur me njerëz që janë këshilltarë të studentëve dhe ata nuk presin të fitojnë zgjedhjet, por mendojnë se mund të kenë një ndikim të vërtetë.
Problemi, natyrisht, për Kosovën është se, po e harroj si e quajnë, njëfarë memorandumi...
Surroi: Memorandumi i studentëve.
Serwer: Po, memorandumi i studentëve e shpall Kosovën pronë të patjetërsueshme të Serbisë, gjë që thuhet në Kushtetutë. Një Kushtetutë që unë e theksoj gjithmonë, kjo është një pikë e mirë, e kuptoj, por mendoj se është një pikë vërtet e rëndësishme. Ajo kushtetutë mezi kaloi falë votuesve që e votuan, duke mos i numëruar shqiptarët e Kosovës.
Tash, shqiptarët e Kosovës nuk votuan dhe nuk do ta votonin, por, e kishin të drejtën ta parandalonin miratimin e asaj Kushtetute duke mos votuar. Dhe atyre iu mohua kjo e drejtë. Dhe është një nga gjërat që më ktheu vërtet drejt pavarësisë si zgjidhja e vetme.
Sepse nëse nuk llogariten si qytetarë, në përcaktimin se cila do të jetë Kushtetuta e re, qytetarë të çkaje janë?
Nuk mund të jenë qytetarë të asgjëje.
Ata duhet të jenë qytetarë të shtetit të tyre.
Surroi: Në një nga shkrimet e mia, shkrova se studentët mund të pohojnë edhe se toka është e sheshtë. Dhe kjo nuk do të ndryshojë shumë në asnjë mënyrë.
Serwer: Jo, është një manovër thjesht politike nga studentët. Disa prej tyre pa dyshim e besojnë. Por kam folur me mjaftueshëm njerëz të opozitës në Serbi për të ditur se ata e konsiderojnë këtë si shtegun e tretë të politikës serbe dhe nuk besojnë se do të kenë ndonjë sukses zgjedhor pa këtë
Surroi: Por nëse e njëjta përsëritet në politikën lokale në Serbi, a do të thotë kjo që të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen pengje të këtij lloj “perpetuum mobile” në Serbi?
Serwer: Jo, mendoj se ajo që duhet të bëjnë shtetet e tjera të Ballkanit është që ato që nuk janë ende anëtare të NATO-s, duhet të bëhen anëtarë të NATO-s. Duhet të krijojnë një marrëveshje bashkëpunimi brenda NATO-s, pasi garancia e Nenit 5 është në dyshim këto ditë, në rastin më të mirë në dyshim, do të thosha e pavlefshme, me pak gjasa për aktivizim.
Por NATO-ja ka shumë gjëra përveç garancisë së Nenit 5; është ndërveprimi i saj, planifikimi, ushtrimet e saj. Duhet të rifokusohen në këto gjëra. Të gjitha shtetet që kufizohen me Serbinë, përveç ndoshta Bosnjës për shkak të vetos serbe atje, të gjitha duhet të bashkëpunojnë, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Kroacia dhe Sllovenia duhet të bashkëpunojnë të gjitha në një marrëveshje rajonale nën-NATO-n që rrit besueshmërinë e tyre në frontin e mbrojtjes. Serbia është shumë mirë e pajisur këto ditë. Vuçiq ka shpenzuar shumë para për pajisje ushtarake. Kështu që mendoj se është e rëndësishme që fqinjët të tregojnë një aftësi serioze parandaluese.
Surroi: Si funksionon kjo kur Kosova nuk mund ta ketë përkrahjen e shteteve jo-njohëse dhe/ose mbështetet te SHBA-ja për ta udhëhequr rrugën drejt këtij lloj njohjeje?
Serwer: Ky është problemi i madh i pazgjidhur për diplomatët tuaj në vitet që do të vijnë.
Ajo që kuptoj unë është se FSK-ja do të jetë forcë plotësisht operacionale e NATO-s nga 2028-ta.
Surroi: Siç ishte planifikuar.
Serwer: Ushtarakët po bëjnë punën e tyre. Civilët duhet ta bëjnë punën e tyre. Mund të ndihmojnë zbarkimet. Forca ndërkombëtare e stabilizimit në Gaza është një nonsens dhe nuk besoj se do të ndodhë. Por, qe me rëndësi që Kosova u ofrua vullnetare për të, që të ofrohej vullnetare për Bordin e Paqes.
Surroi: Dhe që ka kapacitetin për ta bërë këtë.
Serwer: Po, dhe mendoj se këto ishin vendime të mençura. Ani që nuk besoj se kjo do të ndodhë. Ose edhe nëse ndodh, do të jetë një mision jashtëzakonisht i rrezikshëm. Nuk ua kam zilinë ushtarëve që shkojnë në Gaza me Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit.
Por Kosova duhet të gjejë mënyra të tjera për ta bërë veten një propozim me vlerë të shtuar për NATO-n, dhe nëse bëhet, të domosdoshëm për NATO-n. Pra, si bëhet kjo? Jo me 5 mijë ushtarë, ata janë të mirë, ose me 3 mijë rezervistë.
Por kjo bëhet, sipas mendimit tim, me helikopterë, që, me sa kuptoj, janë rrugës duke ardhur. Shpresoj se po vijnë. Helikopterët gjithmonë mungojnë në operacionet ndërkombëtare. Këto janë propozime me vlerë të shtuar. Edhe riparimi i helikopterëve është propozim me vlerë.
Përkufizimi që ia bën pilot helikopterit është: 10 mijë pjesë rezervë që fluturojnë në formacion të ngushtë. Ata prishen shumë. Dhe kështu, dhe padyshim dronët, siguria kibernetike, sulmi kibernetik, këto janë gjëra që mund të ofrojnë vlerë të lartë. Dhe mendoj se në biznesin e dronëve, ky është një biznes prodhimi në të cilin mendoj se Kosova mund të angazhohej mjaft mirë nëse do të kishte diçka si teknologjia e ukrainasve.
Surroi: Ndryshimet, natyra asimetrike e luftës, sjellin më shumë përparësi për shtetet e vogla si Kosova. Tash, pyetja që shtrohet përherë është se si bashkëpunojnë këto shtete nëse do të ketë vazhdimësi të perceptimit të Serbisë si një zgjatim i ndërhyrjes ruse në Evropë?
Serwer: Kundër kësaj edhe bashkëpunojnë. Kjo për mua është...
Surroi: Vlerë e shtuar?
Serwer: Është një motiv i shkëlqyer për t’u bashkuar me shtetet e tjera në Ballkan. Mjaft qartë Rusia ka aftësi të konsiderueshme për të destabilizuar në Ballkan.
Atentati kundër Gjukanoviqit dështoi, por sa të tjera mund të provonin? Plot të tjera, hamendësoj. Ndikimi i tyre në zgjedhjet në shtete të ndryshme është i rëndësishëm, jo në Kosovë, natyrisht...,
Surroi: Madje edhe përpjekje në SHBA.
Serwer: Po, ata e kanë provuar edhe në SHBA. Po të isha në vend të Kosovës, do të thosha, pse duhet të përballem me Rusinë e vetme? Dua të përballem me Rusinë me fqinjët e mi, dhe dua të përballem me Serbinë, si agjent i Rusisë, me fqinjët e mi. Dhe kjo ka shumë kuptim.
Derisa amerikanët shikojnë nga ana tjetër, sepse kjo është ajo që po bëjnë me NATO-n këto ditë, unë do të merrja masa dhe do të sigurohesha që ta kishim në vend të gjithë ndërveprimin, të gjitha procedurat, të gjitha ushtrimet që na duhen për t’iu përgjigjur një politike më agresive nga Rusia. Nëse Rusia humb në Ukrainë, dhe besoj se Rusia mund të humbë përfundimisht në Ukrainë, kjo nuk do t’i bëjë ata më të sjellshëm.
Surroi: Përkufizoje “humbjen”.
Serwer: E mban territorin. Madje edhe një ndarje de facto në këtë pikë do të llogaritej si humbje, nëse nuk është de jure. Ata qartësisht kanë synuar ndarjen juridike të Ukrainës, por s’e besoj se kjo është ambicia e tyre më serioze. Ambicia e tyre e vërtetë, ata mohojnë shtetësinë ukrainase. Kjo është si Serbia dhe Kosova. Serbia mohon shtetësinë e Kosovës. Ambasadori i Serbisë më tha tash së voni, se po flisja për “krahinën jugore të vendit të tij”. As nuk kundërshtova sepse tingëllonte i marrë. Nuk mendova se ia vlente të kundërshtohej.
Ukraina është një entitet i pavarur. Madje edhe nëse e humb Donbasin, është rrezik i madh për Rusinë.
Surroi: Dhe një shtet i madh, territorialisht.
Serwer: Dhe ende shtet i madh. Kishte njerëz që argumentonin, kur Donbasi u pushtua më 2014, se gjëja më e mirë që Ukraina mund të bënte ishte ta injoronte atë dhe të zhvillohej se Donbasi në fund vetë do të luste të kthehej në Ukrainë.
Dhe ky pohim ka njëfarë vlefshmërie edhe sot. Por po filloj të shoh aftësi ushtarake ukrainase, veçanërisht te sulmet ndaj trenit logjistik që shkon në Krime dhe në vetë Krimenë, që sugjeron se ukrainasit mund të jenë në gjendje të kthejnë një pjesë të mirë të asaj që kanë humbur, nëse jo të gjithën. Rusia ka telashe, dhe kjo është mjaft e qartë.
Ani që Trumpi ia hoqi sanksionet Rusisë dhe e lejon të shesë naftë me çmime më të larta, kjo s’e ka shpëtuar ekonominë ruse, dhe tash po shpërfaqen ushtarë që protestojnë e të ngjashme.
A do ta zbusë kjo Putinin? Absolutisht jo. Por ai mund të mos jetë në gjendje ta mbajë përpjekjen, dhe mund të detyrohet të zgjedhë, ta mbajë Krimenë apo ta mbajë Donbasin, por duhet të zgjedhë mes dyjave. Besoj se ndoshta do ta zgjidhte Krimenë, ta them të vërtetën.
Është shumë më e rëndësishme strategjikisht sesa Donbasi.
Surroi: Shtetet evropiane kanë kaluar pjesën më të madhe të këtyre dy viteve duke u përpjekur të kuptojnë sinjalet që vijnë nga Washingtoni. Dhe tash janë vëzhgues të Washingtonit ashtu siç kishin qenë vëzhgues të Moskës gjatë Luftës së Ftohtë.
Tani, për shtetin më pro-evropian, polakët do të mund ta kundërshtonin, por ne e konsiderojmë veten shtetin më pro-evropian, çka duhet të kuptojmë për Washingtonin që ka të bëjë me ne ekzistencialisht? Sepse ndiejmë se jemi ekzistencialisht të lidhur me Washingtonin, pra, me SHBA-në.
Serwer: Duhet ta kuptoni se SHBA-ja që ka ekzistuar, që e keni admiruar, që donit ta imitonit, “L’America” nuk është në pushtet sot.
Nuk është se nuk ekziston. Ekziston. Në distriktin tim, Columbia, 92% votuam për Kamala Harrisin. Duam të shohim një demokraci liberale me të drejta të barabarta individuale. Nuk duam që Gjykata Supreme të vendosë t’i eliminojë të gjithë anëtarët me ngjyrë të Kongresit duke lejuar ridistrikcionin që është hapur racist. Amerika juaj ende ekziston në shumë vende, por nuk është në pushtet. Dhe kjo është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore, që një administratë liberale demokratike nuk është në pushtet. Tani, nuk është se Amerika ishte një demokraci e madhe liberale në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nuk ishte. Por vendosi të shndërrohej në një të tillë dhe ta shndërronte edhe Evropën në demokraci liberale.
Vendosi që së pari me integrimin e ushtrisë më 1947, integrimin e shkollave më 1954, Aktin e të Drejtës së Votimit të vitit 1964. Pra, Amerika liberale, Amerika demokratike që ju të gjithë e doni është...
Surroi: Evolutive
Serwer: Nuk është qëmoti. Nuk është. Dhe unë e jetova si adoleshent, në thelb, evolucionin e asaj Amerike. Ishte një luftë. Ideja se pati një marshim të madh në Washington më 1963 që i dha fund diskriminimit racor është plotësisht absurde. Dua të them, ky ishte një moment në një luftë shumë të gjatë që vazhdoi për dekada më pas. Tash po shohim një përpjekje për të rivendosur një koncept supremacist të krishterë të bardhë të Amerikës. Dhe kjo është një Amerikë shumë e ndryshme nga ajo që ju e njihni. Dhe pullat që do të duhet të shtypni diplomatikisht janë më ndryshe, veçanërisht sepse nuk është se është një administratë kaq parimore, është një administratë transaksionale që i përgjigjet gjërave si punësimi i lobistëve te vet.
Ky është një Washington shumë i ndryshëm për të vepruar nga ai me të cilin jeni të njohur. Nuk e them fare si kritikë, por mbaj mend një ditë shkova në Fondacionin Heritage, i cili është një fondacion republikan i krahut të djathtë, por padyshim një fondacion liberal demokrat. Nuk janë nacionalistë të krishterë. Dhe Vjosa Osmani, derisa ishte kryetare, e mbajti një fjalim të mrekullueshëm pro-liberal demokrat. Dhe nuk mund të mos mendoja: Kur e dëgjojnë këtë në Shtëpinë e Bardhë, a do ta kuptojnë fare? A e vlerësojnë? Po sillen në mënyrë antitetike ndaj kësaj çdo ditë në politikën e brendshme amerikane. Si mund ta mbështesin jashtë vendit?
Dhe nuk e them këtë si kritikë për të. Ajo ishte një mbrojtëse vërtet e mirë e interesave të Kosovës në Washington. Por mendoj se duhet të mësosh t’i shtypësh këto pullat e tjera. Dhe, duhet ditur, ajo e bëri me Bordin e Paqes. Ky është lloji i gjërave që do të duhet t’i bëni. Do të duhet të jeni transaksionalë në mënyrën se si do të silleni me amerikanët. Nëse doni që ne të bëjmë diçka për ju, bëjeni këtë për ne.
Surroi: A do të thotë kjo se çerekshekulli i ardhshëm do të jetë transaksional?
Serwer: Nuk mund ta parashikoj vitin e ardhshëm, e lëre më çerekshekullin e ardhshëm.
Surroi: Ajo që dua të them është nëse pika ku jemi tash është e pakthyeshme? A do të thotë kjo se SHBA-ja thotë demokracia liberale ka funksionuar deri tash. Të provojmë diçka më të mirë.
Serwer: Jo, nuk mendoj kështu. Nuk mendoj kështu. Po qe se zgjedhjet do të mbaheshin nesër, nuk do të hezitoja të parashikoja një fitore masive të valës së kaltër demokratike. Vërtet një fitore çuditërisht e madhe. Mendimi i përgjithshëm në Washington këto ditë është se askush nuk mund të ketë një shumicë të madhe në Kongres. Mendoj se ky mendim i përgjithshëm mund të jetë i gabuar.
Por, nuk mund ta parashikoj rezultatin e zgjedhjeve në nëntor, sepse gjëja e mirë e zgjedhjeve amerikane është se s’mund ta parashikosh rezultatin gjashtë muaj më herët.
Surroi: Po, por edhe nëse do të kishim një ndryshim nga republikanët në demokratë, a do të thotë kjo se demokratët do të shkojnë kah një status quo ante. A do të thotë kjo se po kthehemi në fazën para Trumpit?
Serwer: Jo, nuk do të jenë në gjendje të kthehen në status quo-në e mëparshme sepse bota ka ndryshuar.
Po, dhe do të duhet të përshtaten. Ata kishin filluar të përshtateshin me politikat disi më proteksioniste gjatë administratës Biden. Krahu i majtë i Partisë Demokratike po shkon mjaft mirë në zgjedhje këto ditë. Mamdani në New York është i njohur për të gjithë, por ka edhe raste të tjera.
Mendoj se do të shihni një Amerikë që është disi më proteksioniste, që është disi më kërkuese ndaj Evropës, disi më e prirë për të tërhequr trupat nga Evropa, por nuk ka asgjë të re në këtë. Jemi përpjekur të tërheqim trupat nga Evropa që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Nuk e di se si do të funksionojë kjo në Azi-Paqësor.
Nuk besoj se një administratë demokratike do të ishte aq miqësore me diktatorët e Amerikës Qendrore, siç po vepron administrata Trump. Mendoj se ata do të kërkonin një ndryshim shumë më të madh në Venezuelë sesa ka bërë administrata Trump. Por nuk do të jetë një rikthim në status quo-në e mëparshme. Do të jetë një evolucion në drejtime që janë pak të vështira për t’u parashikuar, për ta thënë të vërtetën, sepse proteksionizmi nuk funksionon shumë mirë.
E vërteta është se ka një arsye pse negociuam heqjen e të gjitha këtyre tarifave. Dhe nuk do ta përjashtoja plotësisht idenë që ne do të fillonim përsëri një raund të ri për të negociuar heqjen e disa prej këtyre tarifave.
Surroi: Sfida tjetër do të ishte një vijë ndarëse e ardhshme midis Evropës dhe SHBA-së, ose SHBA-së dhe pjesës tjetër të botës, është diçka për të cilën Papa shkroi enciklikën e tij, që është revolucioni digjital, inteligjenca artificiale dhe mënyra se si SHBA-ja, me tekno-feudalët e mëdhenj, drejtojnë në thelb atë pjesë, e kontrollojnë atë pjesë pa shqyrtim publik.
Serwer: Mendoj se ky është një drejtim shumë i keq në të cilin po shkojmë. Unë vij nga bota teknologjike, pjesërisht, dhe kam shkruar një libër kohët e fundit rreth normave për mbrojtjen nga rrezatimi që në të vërtetë përdor e gjithë bota.
Dhe ka qenë një përfitim i madh për të gjitha bizneset që përdorin rrezatimin, për të cilin e gjithë bota në thelb pajtohet se cilat janë standardet themelore të mbrojtjes.
Mendoj se ka qenë një gjë e tmerrshme që rregullimi i inteligjencës artificiale ka shkuar në drejtime krejtësisht të ndryshme në Evropë, SHBA dhe Kinë. Me atë që në SHBA ka vlejtur
laissez-faire (pa ndërhyrje). Tash është e vërtetë që kemi arsye shumë të mira për të ecur përpara sa më fort që të mundemi me teknologjinë e inteligjencës artificiale sepse nuk duam të mbetemi prapa. Por, nuk mendoj se kjo do të thotë të harrojmë disa standarde themelore të mbrojtjes. Mendoj se njerëzit presin dhe duhet të marrin siguri se inteligjenca artificiale nuk do t’u bëjë më shumë dëm sesa teknologjitë që i paraprinë inteligjencës artificiale.
Surroi: Dhe ata nuk do të përfitojnë nga shembujt e së kaluarës, sepse i kemi mediat sociale, të cilat në një masë të madhe e kanë dëmtuar demokracinë në të gjithë botën.
Serwer: Absolutisht, ani pse pritej se do të ndihmonte. Por sinqerisht, profesionistët e teknologjisë, tash trilionerë, madje as miliarderë, që po i shtyjnë këto, nuk janë të interesuar për demokracinë. Eloni (Musk) e ka bërë veten shumë të qartë sa i përket kësaj teme, ashtu si edhe të tjerët. Kjo është pjesë e valës antidemokratike në SHBA.
Përmenda nacionalizmin e bardhë, nacionalizmin e krishterë, por ekziston një sektor krejt tjetër i elitizmit teknologjik që kundërshton çdo rregullim të IA, dhe ky është një gabim i madh.
Pra, lufta e ardhshme që duhet të zhvillohet politikisht në Shtetet e Bashkuara, dhe ne do të duhet ta vëzhgojmë sepse ka pasoja të mëdha në jetën tonë, është, në fakt, si të rregullohen mediat sociale dhe inteligjenca artificiale. Dhe deri më tani, nuk ka ndonjë dallim të madh mes republikanëve dhe demokratëve.
Bideni po provonte disa qasje më të buta përmes Byrosë Kombëtare të Standardeve, po harroj se si quhet tani, Byroja Kombëtare e Shkencës dhe Teknologjisë, mendoj. I provoi disa qasje më të buta, tentativa madje, por edhe këto janë fshirë. Nuk u lejuan t’i shtynin para këto gjëra. Pikërisht kjo ishte. Evropianët shkuan paksa larg, mendoj, kur i miratuan disa rregullore mjaft të qarta në fillim të procesit.
Dhe mendoj se do të duhet të tërhiqen nga disa prej tyre. Dua të them, njohja e fytyrës, për shembull, është e ndaluar në shumë mënyra. Dhe sinqerisht, të gjithë ne do të preferojmë që fytyrat tona të njihen kur hipim në aeroplan. Unë tashmë jam regjistruar për këtë sistem në SHBA. Nuk më pengon nëse njerëzit e dinë kush jam. Mendoj se kjo është pjesë e të qenit qytetar, është të jesh i identifikueshëm. Pra, mendoj se nuk ka asnjë gjë të qartë, se duhet ta bëjmë këtë apo atë.
Por jam mjaft i bindur se të mos bëjmë gjë në kuptimin e rregullimit, është ide e keqe. Duhet të bëjmë gjithçka në lidhje me rregullimin, është ide e keqe. Mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të flasim me kinezët dhe evropianët rreth disa normave mjaft themelore se si do ta lejojmë përdorimin e IA. Pjesa më kontestuese dhe më e vështirë e kësaj, natyrisht, është në luftë. Dhe kam frikë se kjo tashmë ka ikur. Se kjo tash është jashtë kontrollit. Izraelitët, ukrainasit po e përdorin mjaft rregullisht tash, pa ndërhyrjen njerëzore.
Surroi: Tani, po të të kishin angazhuar, dhe po të ishe në dhomë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të ulur së bashku dhe do të ta shtronin një pyetje, por me tri këshilla: Si të kuptohet Amerikën në dy vitet e ardhshme dhe çfarë të bëhet në lidhje me këtë në raportet e tyre, udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, të ulur atje së bashku.
Serwer: Është Amerikë transaksionale, jo parimore. Ajo beson se fuqia e bën të drejtën. Ju jeni të gjitha shtete të vogla. Atë që duhet të bëni është të tregoni në njëfarë mënyre vlerën e shtuar sepse është transaksionale.
Surroi: Po, por unë si një shtet i vogël nga Kosova do të thosha se kjo do të thotë që duhet ta bëjmë të gjithën vetë, secili prej tyre, secili prej nesh individualisht.
Serwer: Jo, do të thosha jo, absolutisht jo individualisht. Do të thosha, shikoni, nëse doni të mblidheni dhe të sinjalizoni qartë se jeni të përgatitur ta mbroni veten, sepse mendoni se Serbia mund të jetë problem, duhet ta bëni këtë së bashku, jo veçmas.
Por unë gjithashtu do të këshilloja, shikoni, kjo që po ndodh nuk është e përhershme. “Fuqia e bën të drejtën” po del të jetë një katastrofë. Lufta e dytë me Iranin tregoi dobësinë amerikane në mënyrë të qartë. Dhe shpresojmë që amerikanët do ta kuptojnë këtë dhe do të mësojnë prej saj dhe do të heqin dorë nga disa nga budallallëqet e tyre. Do të ketë një grup të tërë politikanësh të rinj që do të vijnë.
Ata janë në Kongres, janë nëpër shtete. Duhet t’i dini se kush janë ata dhe t’i kultivoni ata. Nuk mund të përqendroheni vetëm në një administratë që do të largohet pas dy vjetësh. Natyrisht, duhet të merrni në konsideratë mundësinë që ata të fitojnë edhe një zgjedhje tjetër, që Vance ose Rubio ose kushdo qoftë të fitojë. Por mos i injoroni alternativat e tjera që janë nëpër shtete dhe në Kongres. Dhe Kongresi është një lojtar serioz gjithsesi në shumë çështje.
Dhe shumica e ambasadave në Washington e kanë kuptuar këtë dhe e kultivojnë shumë Kongresin. Ambasada e Kosovës ka një problem të madh sepse është shumë e vogël dhe nuk ka të gjitha aftësitë që kanë disa të tjera. Disa nga ambasadat punësojnë firma PR.
Nuk jam ndier kurrë rehat me këtë ide; isha diplomat amerikan jashtë vendit dhe ne nuk e bëjmë kurrë. Dhe do të ndihesha shumë në siklet si zyrtar ambasade që të merresha me një firmë PR të jashtme. Por, ka njerëz që e bëjnë këtë dhe e bëjnë në mënyrë të efektshme.
Mendoj se Dodiku e bëri dhe e bëri në mënyrë efektive. Ai punësoi lobistë.
Surroi: Një nga rezultatet më interesante të pesë viteve të fundit ka qenë, jo pesë vjet, por katër vjet, se Evropa është shtyrë nga njëra anë dhe nga pika dhe arsye krejtësisht të ndryshme nga rusët, nga lufta e Putinit kundër Ukrainës dhe shfaqja e Presidentit Trump si një udhëheqës që thotë, ne nuk do të jemi... dua të them, ky është fundi i momentit unipolar.
Dhe kjo ka krijuar një dimension të ri identiteti, sigurie për Evropën, një hapësirë evropiane sigurie të së ardhmes. Si e sheh të zhvillohet, në thelb, nga Britania, në Turqi dhe Ukrainë?
Serwer: Mendoj se Ukraina do të jetë një aset i madh për mbrojtjen evropiane për arsye të qarta. Shpresoj ta shoh në BE sa më shpejt të jetë e mundur. BE-ja do të ketë probleme me këtë. Ukraina në NATO është problem për rusët, por nuk duhet të jenë problem për NATO-n. NATO-ja duhet ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe në fakt nuk e përjashtoj këtë.
Madje mendoj se rusët nën një administratë të re mund ta rimendojnë këtë. Pse? Sepse Ukraina jashtë NATO-s pas kësaj lufte do të ketë tundime për t’u bërë bërthamore. Jelcini dikur u tha polakëve se s’e kishte problem nëse ata do të bashkoheshin me NATO-n. Dhe mendoj se arsyeja për këtë ishte se ai nuk donte që Polonia të ishte jashtë aleancës dhe t’i zhvillonte armët e veta bërthamore. Dhe aleanca është garancia më e mirë që rusët do të marrin ndonjëherë, që këto vende të mos kenë armë bërthamore, Gjermania, Polonia, Ukraina. Pse?
Sepse amerikanët nuk do t’i lejojnë.
Mund ta imagjinoj, dhe e kuptoj që kjo është shumë e çuditshme nga pikëpamja e të gjithëve, por mund ta imagjinoj një botë në të cilën Ukraina dhe NATO-ja nuk janë problem aq i madh nëse rusët e humbin luftën, nuk janë problem aq i madh sa e ka paraqitur Putini.
Megjithatë, Brexiti ishte qartë një gabim, një gabim shumë serioz. Shpresoj që britanikët ta korrigjojnë, por nuk po e shoh këtë në politikën e tyre të brendshme. Përkundrazi, ata duket se janë të gatshëm t’i fuqizojnë njerëzit që ua sollën Brexitin, gjë që është çmenduri.
Urrejtja ndaj emigrantëve është një fenomen vetëlëndues. Lëndon veten. Amerikanët po e zbulojnë këtë tani. Papritmas, ata nuk do të ketë haitianë në shtëpitë e pleqve. Po talleni? Ne nuk do të kemi shtëpi pleqsh. Pra, Turqia është një lloj problemi tjetër, jo vetëm për
shkak të hezitimit të Evropës ndaj Turqisë, por për shkak të hezitimit të Turqisë ndaj Evropës.
Dhe nuk e di se si zgjidhet kjo vetë. Për mua, nëse do të mund të rivizatoja hartën e Evropës, Evropa do të ishte më e fortë me Ukrainën, Britaninë dhe Turqinë si anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, dhe mendoj se do të ishte një arritje e madhe. Por askush nuk mund ta imagjinojë se si mund të arrish atje nga këtu.
Por nëse më pyet se çfarë do ta bënte Evropën të fortë, çfarë do ta bënte dimensionin e sigurisë evropiane vërtet një fuqi botërore. Kjo është ajo që do të ishte.
Surroi: Dan, ti, dhe kjo është pyetja e fundit sepse kjo është, ka kaluar një orë tashmë dhe gjithmonë është kënaqësi të flas me ty. Në fund të viteve ‘90, ti more të rinj kosovarë dhe u përpoqe t’i trajnoje që të kuptonin se duhet të negociojnë. Dhe se jeta është negociata. I çove një grup në Sofje dhe fole me ta. Pas luftës, i mblodhe në SHBA kosovarë nga sfera të ndryshme të jetës, ish-luftëtarë, udhëheqës politikë, gazetarë etj., duke u përpjekur t’i bëje të kuptonin se duhej të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, se tash duhej negociuar brenda vendit, jo vetëm jashtë.
Nëse do të ishe përsëri në një dhomë me kosovarë dhe do të duhej ta hapje takimin, ta thoshe fjalinë e parë, çfarë do t’u thoshe?
Serwer: Ju prapë duhet të bashkëpunoni me njëri-tjetrin. Nuk ka, nuk ka alternativë të vërtetë. Dhe duhet të them se besoj se disa nga ato takime ishin jashtëzakonisht produktive.
Hashim Thaçi më tha vite më parë se ishte takimi në Lansdowne, Virginia, në të cilin ai dhe djemtë e tjerë të UÇK-së e kuptuan se lufta njëmend kishte mbaruar, se ata do të duhej të bënin politikë, jo ushtri.
Dhe duhet pranuar, ende mendoj se ishte e mahnitshme. Ata hoqën dorë nga armët e tyre. Ka shumë pak raste kur kjo është bërë në të vërtetë. Lufta e Bosnjës përfundoi, dhe të gjithë ende i merrnin armët e tyre në shtëpi. UÇK-ja hoqi dorë nga armët e saj, dhe hyri në politikë... disa njerëz thonë se amerikanët e inauguruan Thaçin menjëherë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai priti radhën e tij për pushtet për një pjesë të mirë të një dekade para se të vinte në pushtet. Ne bëmë shumë gjëra të mira në Kosovë gjatë asaj periudhe, dhe unë nuk do të hezitoja t’i bëja përsëri.
Mund të përpiqem që t’i bëj më mirë. Por, të bëja që njerëzit e OJQ-ve, të UÇK-së dhe të LDK-së të flisnin me njëri-tjetrin ishte një nga gjërat më të mira që kam bërë ndonjëherë. Në atë kohë në Kosovë po ziente një luftë civile. Njerëzit po vriteshin. Nuk mund të them se ishte me urdhër të majës së UÇK-së, ashtu siç po e pohojnë në gjykatë. Por njerëzit po vriteshin, shqiptarë dhe serbë. Dhe arsyeja pse e bëmë takimin në Lansdowne ishte për të parandaluar luftën qytetare. Dhe mendoj se ia dolëm.
Daniel Serwer në PIKË me Veton Surroin
Surroi: Dan, është gjithmonë kënaqësi. Faleminderit shumë.
Serwer: Kënaqësia qe imja.