Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aliu: Mesatarisht një grua pëson dhunë 15 herë para se të raportojë në Polici

Drejtoresha e organizatës “Inject”, Luljeta Aliu, ka thënë se një grua pëson dhunë mesatarisht 15 herë para se ta raportojë në Polici.

Aliu ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se ka pak ose fare raste kur viktimat e dhunës në familje shkojnë në Polici për ta raportuar rastin, që herën e parë kur ka ndodhur.

Sipas saj, për këtë arsye nuk duhet të jetë në diskrecion të Policisë të vendosë se a ka rrezik të përsëritjes së dhunës.

“Nuk duhet të jetë në diskrecion të Policisë që të vendosë se a ka rrezik të përsëritjes. Ne e dimë që viktimat e dhunës në familje nuk shkojnë fare pak ose hiq nuk ka raste që për herë të parë shkojnë në Polici ta raportojnë dhunën. Me të gjitha studimet që ekzistojnë për këtë dukuri, thuhet që diku përafërsisht mesatarja është 15 raste të dhunës që duhet të kenë ndodhur, tek pastaj kanë shkuar dhe e kanë raportuar në Polici. Nëse ne flasim për përsëritje, atëherë Rasti i raportimit të dhunës në Polici veç tregon se ata janë recedivistë”, ka thënë Aliu.

Sipas saj, ka pasur dhe ka ende raste kur zyrtarët policorë në rastin e raportimit të dhunës, vlerësojnë se një shuplakë për gruan nuk është asgjë.

Aliu po ashtu ka folur edhe për dënimet me kusht, duke thënë se e irriton numri i lartë i tyre.

Edhe Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra LAJMET E MBRËMJES Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra

“Jam tepër e irrituar për numrin aq të lartë të dënimeve me kusht. Në krejt Kosovën, për dhunën në familje, 87 për qind prej tyre janë dënime me kusht. Kjo është sinjal ndaj qytetarëve që ti mund ta bësh dhunën dhe 10 për qind është mundësia që ti ndoshta të dënohesh efektivisht. Kjo për mua është amnisti e krimit ndaj grave, është një femicid sistemik, dhe ka munguar vëmendja që prej pasluftës për këtë pjesë”, është shprehur Aliu.

Brenda pesë ditëve në Kosovë janë vrarë dy gra nga burrat e tyre. Më 25 nëntor, një grua 63-vjeçare është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar. E ndjera ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë. Ndërkaq, të mërkurën në mbrëmje është vrarë një 35-vjeçare e cila ishte shtatzënë në javën e 41. Ajo është vrarë nga burri me të cilin ishte në procedurë të divorcit, përpara Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Vrasja e 35-vjeçares shtatzënë ka nxitur reagime të shumta. Një protestë është zhvilluar të enjten në Prishtinë për ta kundërshtuar vrasjen e grave në Kosovë. Në këtë protestë u kërkua që vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare.