Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk i leverdis të jetë në qeveri në këtë mandat bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë profesori universitar, Ardian Gola.
Gola ka theksuar se nuk qëndron justifikimi i Lumir Abdixhikut në refuzimin për bashkëqeverisje me LVV-në.
“Sa i përket justifikimit të Abdixhikut refuzimit të Kurtit për koalicion duke u thirrur në keqqeverisje. Ti koalicionet nuk i bën në bazë të historisë së qeverisjeve por në bazë të kompromisit programor se kah ti po do ta orientosh zhvillimin e shtetit. VV ka një vlerësim brutal qeverisjes së 20 vjetëve dhe nëse nisesh nga kjo, nuk mund të bësh koalicion as me LDK as me PDK. Është mungesë e vullnetit të Lumir Abdixhikut për të shkuar në një koalicion qeverisës me VV-në sepse politikisht nuk i leverdis me ardhë në pushtet në këtë mandat”.
Sadiku: Përmbajtja e letrës së Kurtit, në një formë fyese për LDK-në
Gazetari Naim Sadiku ka komentuar përmbajtjen e letrave të shkëmbyera mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se letra e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ishte në thelb fyese për LDK-në dhe se bashkëpunimi mes këtyre dy partive mbetet i pamundur.
Sipas Sadikut, letra nuk ishte rezultat i ndonjë presioni publik, por i një kalkulimi të pastër politik. Ai vlerëson se nga gjuha e përdorur, veçanërisht nga Kurti, ishte e qartë që paraprakisht ishte ditur se përgjigja nga LDK-ja do të ishte negative.
“Kur në letër i rikujton të gjitha elementet që çuan në prishjen e koalicioneve të mëhershme, dhe për më tepër përdor një gjuhë që nënkupton nënshtrim ose fyerje, është e qartë se bashkëpunimi nuk është qëllim real”, ka thënë Sadiku në “Konfront” të KTV-së.
Ai shtoi se reagimi i menjëhershëm i eksponentëve të Vetëvendosjes pas refuzimit të Abdixhikut, tregon një qasje që nuk i lë hapësirë dialogut të sinqertë.
“Qysh mundet nesër Abdixhiku me u ul me ta me diskutu, kur sapo dha përgjigjen, u bë cak i sulmeve?”, ka përfunduar Sadiku.
Aliaj: Letrat e liderëve, pasojë e presionit publik
Artan Aliaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë se letrat mes liderëve politikë janë më shumë si pasojë e presionit publik, sesa që janë me motiv të sinqertë.
Sipas tij, takimet për koalicione nuk thirren përmes letrave e nuk bëhen publike tek pasi që partitë merren vesh me njëra-tjetrën.
“Komunikimet e fundit, qoftë përmes letrave apo mediave, mund të shihen si ndikim i presionit publik që është krijuar këto dy muajt e fundit. Por, sa i përket negociatave politike për koalicione zakonisht takimet nuk thirren përmes letrave, aranzhohen, ulen partitë diskutojnë dhe nëse vinë në pikë të përbashkët atëherë i komunikojnë publikut. Në momentin që e sheh një takim që është thirrur përmes letrave, që publikohet para se t’i shkojë një partie, në start qasja nuk është mjaft e sinqertë”, ka thënë ai në “Konfront”.