Arbëri

Albright, diplomatja që i bëri krenarë amerikanët

Politikanë amerikanë dhe të jashtëm u mblodhën të mërkurën për t’i bërë nderimet e fundit Madeleine Albrightit, gruaja e cila si 11-vjeçare shkoi në SHBA nga Evropa e shkatërruar nga konflikti dhe u bë sekretarja e parë grua e këtij shteti.

Ajo u kujtua si diplomate që la gjurmë dhe si një kampione nga presidenti amerikan Joe Biden dhe ish-presidenti Bill Clinton. Ajo u kujtua edhe si një këshilluese e pakrahasueshme në vendimmarrje të rëndësishme të shtetit dhe se si shqetësimi i saj më i madh në ditët e fundit ishte lufta në Ukrainë.

Bideni tha se emri i Albrightit është sinonim i idesë se Amerika është “një forcë për të mirën në botë”.

“Në shekujt 20 dhe 21, liria nuk pati kampion më të madh se Madeleine Korbel Albright”, theksoi Bideni. “Sot e nderojmë një amerikane vërtet krenare, e cila na bëri ne të gjithëve edhe më krenarë që jemi amerikanë”.

E ish-presidenti Bill Clinton, njeriu i cili e emëroi atë së pari si ambasadore të Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe më pas sekretare të shtetit në vitin 1996, tha se biseda e tij e fundit me Albrightin vetëm pak javë para vdekjes së saj ishte kryesisht për situatën në Ukrainë dhe për frikën e saj për të ardhmen e demokracisë në botë.

“E vetmja gjë që ka më të vërtetë rëndësi është se çfarë bote do t’u lëmë pas nipërve tanë”, kujtoi Clinton se çfarë i kishte thënë Albrighti.

Bideni dhe Clintoni, bashkë me ish-presidentin Barack Obama dhe disa pasardhës të Albrigtit si sekretar shteti, përfshirë Hillary Clinton, Condoleezza Rice, John Kerry dhe sekretarin aktual Antony Blinken, ishin në mesin e 1,400 personave që morën pjesë në ceremoninë mortore në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Hillary Clinton kujtoi kohën kur kishte lobuar që Albrighti të shërbente si sekretare e Shtetit, një rol që Clintoni do ta ushtronte vetë gjatë administratës Obama.

“Është thënë se unë e nxita bashkëshortin tim që ta nominonte atë si gruan e parë si sekretare Shteti. Jo si shumë gjëra që thuhen, kjo është e vërtetë”, ka thënë Hillary Clinton.

Të dyja kishin zhvilluar një miqësi të fortë përgjatë viteve.

Image

Në ceremoninë mortore të ish-sekretares amerikane, Madeline Albright, ishin ish-presidentja Atifete Jahjaga, presidentja e tanishme e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti


Në prag të pushtimit rus të Ukrainës dhe një muaj para se të vdiste, “The New York Times” kishte nxjerrë atë që do të ishte shkrimi i fundit i publikuar i Albrightit. Ajo shkroi se pushtimi i presidentit Vladimir Putin do të ishte një “gabim historik”, që do ta çimentonte trashëgiminë e tij si një turp.

Zyrtarë të tjerë të lartë që morën pjesë në ceremoni ishin sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejtori i CIA-s, Bill Burns, këshilltari kombëtar për sigurinë e Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, e të tjerë. Pjesëmarrësit ishin me maska të gjithë, ashtu siç kishte kërkuar familja e Albrightit.

Nga zyrtarët e lartë të huaj që u ftuan aty përfshiheshin presidentët e Kosovës dhe Gjeorgjisë dhe zyrtarë nga Kolumbia, Bosnja dhe Republika Çeke.

Albrighti u lind në atë që dikur njihej si Çekosllovaki, por familja e saj u largua dy herë, të parën herë nga nazistët dhe më pas nga sundimi sovjetik. Ata përfunduan në SHBA, ku studioi në Kolegjin Wellesley dhe u ngjit në radhët e qarqeve të politikës së jashtme të Partisë Demokratike për t'u bërë ambasadore në Kombet e Bashkuara. Bill Clintoni e zgjodhi atë si sekretare të shtetit në vitin 1996 në mandatin e tij të dytë.

Edhe pse nuk mund të ishte kurrë në radhë për presidencën amerikane për shkak se kishte lindur në shtet të huaj, Albright admirohej gjerë nëpër botë, madje edhe nga kundërshtarët e saj politikë. Disa deputetë republikanë, duke përfshirë udhëheqësin e pakicës në Senat, Mitch Mcconnell, morën pjesë në ceremoni.

Si një refugjate çeke që pa tmerret e Gjermanisë naziste, ajo nuk ishte një politikane e brishtë në vendimmarrje. Ajo luajti një rol kyç në presionin që administrata e Clintonit të përfshihej ushtarakisht në konfliktin në Kosovë.

Si sekretare e Shtetit, Albright luajti një rol kyç në bindjen e Clintonit që të shkonte në luftë kundër liderit jugosllav Sllobodan Millosheviq për trajtimin që po u bënte shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Si ambasadore e OKB-së, ajo mbrojti një politikë të jashtme të ashpër të SHBA-së, veçanërisht në rastin e Millosheviqit për trajtimin e Bosnjës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u quajt me kalimin e kohës "Lufta e Madeleines".

Ajo gjithashtu mbajti një qëndrim të ashpër ndaj Kubës, duke thënë në Kombet e Bashkuara se rrëzimi i vitit 1996 i një aeroplani civil ishte lëvizje "frikacake".

Në vitin 2012, Obama i dha Albrightit Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil në SHBA, duke thënë se jeta e saj ishte një inspirim për të gjithë amerikanët.

E lindur në Pragë më 15 maj 1937, ajo ishte vajza e një diplomati, Joseph Korbel. Familja e saj ishte hebraike, por e konvertuar në katolicizëm romak kur ajo kishte 5 vjeç. Tre nga familjarët e saj vdiqën në kampe përqendrimi.

Albright ishte një internacionaliste, këndvështrimi i së cilës u formua pjesërisht nga prejardhja e saj. Familja e saj u largua nga Çekosllovakia në vitin 1939 pasi nazistët pushtuan vendin e tyre dhe ajo i kaloi vitet e luftës në Londër.

Pas luftës, teksa Bashkimi Sovjetik mori pjesë të mëdha të Evropës Lindore, babai i saj e dërgoi familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata u bartën në Denver ku i ati ligjëronte në Universitetin e Denverit. Një nga studentët më të mirë të Korbelit ishte Condoleezza Rice, që më vonë do ta merrte pozitën si sekretare e Shtetit.

Albright u diplomua nga Kolegji Wellesley në vitin 1959. Ajo punoi si gazetare dhe më vonë studioi marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Columbias, ku mori diplomën master në vitin 1968 dhe më pas doktoratën në vitin 1976. Më pas u fut në politikë dhe në atë që atë kohë njihej si bota e politikës së jashtme e dominuar nga burrat.

Albright ka lindur më 15 maj të vitit 1937 dhe ka ndërruar jetë më 23 mars të këtij viti. Ceremonia mortore në nderim të saj u mbajt në Katedralen Kombëtare në Washington, të mërkurën.

Përktheu: Emine Shehu