Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Albrighti pati parashikuar pushtimin e Ukrainës nga “zvarraniku Putin”

Madeleine Albright vdiq pikërisht në kohën kur forcat të cilat nonstop u përpoq t’i ndalte nisën luftë sërish në Evropë. Lufta u nis nga njeriu për të cilin në vazhdimësi Albrighti kishte paralajmëruar se është kërcënim i madh për paqen.

Gruaja e parë sekretare e shtetit në Amerikë ishte larguar si fëmijë refugjate nga Çekosllovakia. Përvojën e familjes dhe ndikimin e saj e kishte ruajtur përherë në mendje. Qasjen e saj në përpjekje të ndaljes së luftërave e dëshmoi me lëvizjet pas Luftës së Ftohtë dhe ndaljen e luftërave në Bosnje e Kosovë, nën administratën e Clintonit, si dhe përkrahjen e madhe për zgjerimin e NATO-s.

Vdekja e Albrightit të mërkurën ndodhi në momentin kur Evropa sërish po rrezikohet nga rusët e po përballet me turmë të madhe refugjatësh, si dhe frikën për luftë bërthamore, pasi pushtimi nga Vladimir Putini shkund 30 vjetët e stabilitetit.

Deri në fund të jetës së saj, Albrighti kishte ngritur alarmin për qëllimet dhe karakterin e Putinit teksa kishte parashikuar edhe shkatërrimet e gjakderdhjet.

“Në vend që të hapte rrugën e Rusisë drejt madhështisë, pushtimi i Ukrainës do të siguronte turpin e Putinit duke e lënë të izoluar vendin e tij diplomatikisht, ekonomisht të gjymtuar e të cenueshëm strategjikisht përballë aleancës perëndimore më të fortë dhe më të bashkuar”, kishte shkruar Albrighti në një analizë për “New York Times” muajin e kaluar. “Ukraina ka të drejtë për sovranitetin e saj, pavarësisht se kush janë fqinjët e saj. Në epokën moderne, vendet e mëdha e pranojnë këtë dhe duhet ta bëjë edhe Putini. Ky është mesazhi që bazohet në diplomacinë perëndimore të kohëve të fundit. Përcakton ndryshimin mes botës së qeverisur nga sundimi i ligjit dhe botës që s’u përgjigjet fare rregullave”.

Fjalët, ndër të fundit që u publikuan nga Albgrighti, përshkruan një karrierë diplomatike të karakterizuar me përkrahjen e palëkundur për demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të jetuar, por edhe për dëshirën që të bisedohet për të qetësuar njerëzit e fuqishëm, përfshirë Putinin dhe ish-kreun e Koresë së Veriut, Kim Jong Il, të cilin e kishte vizituar më 2000.

Albrighti kishte pasur mundësinë të njihte karakterin e Putinit shumë më herët, pasi u bë zyrtarja e parë e lartë amerikane që u takua me presidentin e Rusisë, më 2000, pak pasi Putini mori pushtetin.

Pas takimit treorësh në Kremlin, Albrighti ishte shprehur optimiste për shmangie të rikthimit të Luftës së Ftohtë. Por muajin e shkuar, ajo ka treguar për “New York Times” mendimin që e kishte incizuar rrugës teksa kthehej në shtëpi. Ishte shprehur e frikësuar. Shqetësimet e saj u vërtetuan me nisjen e luftës 22 vjet pas takimit.

“‘Putini është i vogël dhe i zbehtë’, e kisha shkruar. ‘Aq sa mund të ishte zvarranik’”, ka kujtuar Albrighti në esenë e saj. Po ashtu kishte kujtuar një nga mendimet e saj të asaj kohe. “Putini është i turpëruar nga ajo që i ka ndodhur shtetit të tij dhe ka vendosur ta kthejë madhështinë”.

Ironikisht Albrighti e kishte shfrytëzuar atë takim për të kërkuar nga Putini të tregonte mëshirë ndaj separatistëve në Çeçeni. Megjithatë kishte dështuar të ndalte atë që po shihet si paraprirje e sulmeve ndaj civilëve në Ukrainë.

Ajo vazhdimisht është përpjekur të bindte Rusinë se NATO-ja s’është rrezik për sigurinë e saj.

Më 2014, kur Putini aneksoi territorin e Krimesë, Albrighti kishte kthyer paralajmërimin për ambiciet e liderit rus.

“Putini ka çrregullime”, kishte thënë në mars të atij viti Albrighti. “Mendoj se ai ose nuk i di faktet, ose është i mbuluar nga propaganda e tij”.

Sërish më 2016, Albrighti kishte paralajmëruar për rrezikun nga Putini duke e quajtur “të mençur, por person tepër të keq”, në një intervistë për “Die Presse” të Austrisë.

Në vitet e fundit, Albrighti ka shfaqur haptas frikën për lëvizje ekstreme politike duke kritikuar edhe ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Artikuj të ngjashëm