Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktivisti Muçi: Shqipëria s’ka opozitë, PD-ja e çorientuar

Redi Muçi, aktivist politik nga Shqipëria ka deklaruar se opozita atje është e përçarë dhe nuk frymon më për shpresë, duke shtuar se Partia Demokratike e Lulzim Bashës, është tërësisht e çorientuar.

“Basha, konsiderohet si lider që s’ka asgjë dhe Sali Berisha tashmë si i konsumuar. Për të gjitha këto vite, PD-ja ka ngelur me sloganin ‘Rama Ik’. PD-ja duke qenë parti e establishmentit, nuk ka bërë analizë për këtë situatë në shoqërinë civile”, deklaroi ai.

Muçi tha në “Java Sonte me Rronin” të KTV-së se partia e Bashës nuk ka mesazh real e as figurë që do ta udhëheqë opozitën shqiptare.

“S’ka figurë që do ta udhëheqë, në një situatë të tillë kur ka kriza të njëpasnjëshme, padyshim që terreni është i shëndetshëm për të nxjerrë forca dhe mundësi të reja në debatin publik politik”, shtoi ai.

Sipas aktivistit, Shqipëria ka pasur rritje të çmimit të naftës në dy vitet e fundit, por pos reagimeve qytetare, sipas tij, nuk është bërë diçka konkrete në kundërshtimin e rritjes.