Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktgjykimi ndaj Shefqet Krasniqit shpallet të premten

Ka filluar prezantimi i fjalës përfundimtare në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i cili po akuzohet për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.

Prokurori i rastit, Elez Blakaj, gjatë prezantimit të fjalës përfundimtare, ka thënë se gjatë gjykimit është vërtetuar se Krasniqi i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.

Krasniqi akuzohet se përmes ligjëratave, ka shtyrë qytetarët që t’i bashkohet luftës në Siri, ka përdorur thirrje të tërthorta për të kryer vepra terroriste, si dhe sipas prokurorit, ish-imami ka përdorur gjuhë të urrejtjes gjatë ligjëratave.

Për dallim nga prokurori, avokati Sevdali Zejnullahu, i cili mbron ish-imamin, ka thënë se me asnjë provë nuk është vërtetuar se Krasniqi ka kryer veprat penale, që i bien në barrë.

Ka shtuar se prokuroria dhe policia kanë bërë përpjekje që Krasniqin ta paraqesin si një person me prirje terroriste. “Në tërësi kjo aktakuzë është e përfshirë në supozime e hamendësime”, ka thënë avokati.

Ish-imami, sipas tij ka kërkuar që me lutje t’i ndihmohet popullit sirian, i cili edhe sot është në gjendje lufte.

Ndërkaq, Shefqet Krasniqi, ka thënë se ai është i pastër “sikur loti” dhe se nuk ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.

Edhe Prokuroria kërkon burgim, avokati lirim nga akuzat për Shefqet Krasniqin Arbëri Prokuroria kërkon burgim, avokati lirim nga akuzat për Shefqet Krasniqin

“Kjo çfarë ka bërë prokuroria, i bie sikur ta kërkojnë një gjilpërë midis shkretëtire e as atë nuk e kanë gjetur. S’kam arsye të ndjehem fajtor, pasi kam kontribuar për fe, komb e shtet. Por, ne jemi njerëz, në vija të holla edhe mund të kem gabuar. Në vija të trasha kurrë nuk i bie pishman për asgjë”, ka deklaruar Ish-imami.

Krasniqi ka shtuar se drejtësia nuk duhet të bazohet në thashetheme, por në prova.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare, trupi gjykues ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten në orën 8:30.