Arbëri

Aktakuzë ndaj 6 personave për sulmin ndaj Policisë në veri më 2021

aksioni 2021

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për huliganizëm gjatë 13 tetorit të vitit 2021. S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., akuzohen për veprat penale “Huliganizmi”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë me dashje në turma të mbledhura prej rreth më shumë se dhjetëra personash në Mitrovicë të Veriut, numri i të cilëve është rritur dhe ulur varësisht nga lëvizjet e tyre, dhe kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Të pandehurit, në mesin e turmës së dhjetëra të tjerëve, i kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. 

Si pasojë, B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kishin pësuar lëndime trupore.

“Në të njëjtën ditë, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R., në lagjen ‘Berxhane’, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Turma e personave është drejtuar drejt një barnatoreje, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro.