Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur sot një aksion për konfiskimin e barnave pa banderolë në barnatoret e Mitrovicës së Veriut, ka bërë të ditur Kossev.
Në aksion po marrin pjesë edhe zyrtarë të Doganës së Kosovës.
E në një video që ky medium ka postuar, shihen dhjetëra qytetarë serbë që kanë rrethuar inspektorët dhe i shajnë e fyejnë ata.
Pronari i barnatores në Mitrovicë “Moć prirode” (Fuqia e natyrës), Blagoje Saviq, thotë se inspektorët kanë kërkuar nga ai që farmacistët e angazhuar në barnatore të kenë diplomë të njohur nga Qeveria e Kosovës dhe që të shiten vetëm ilaçe që janë të lejuara nga institucionet e Kosovës.
Sipas Kossevit, Blagojeviq ka thënë se kjo është e pamundur, meqë mjekët serbë në këtë pjesë përshkruajnë vetëm ilaçe që i miraton Serbia. Ai ka kritikuar aksionin, siç ka thënë ai, në kohë pandemie.
Edhe
Në Mitrovicë të Veriut gjenden barna të paautorizuara për tregun vendas
KOHA ka provuar të marrë një informacion nga Ministria e Shëndetësisë, por deri më tash nuk ka arritur, e Policia ka kërkuar që pyetja t’i bëhet përmes postës elektronike.
Ndërkohë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i ka thënë KOHËS se zyrtarët doganorë janë ftuar për këtë aksion si mbështetje.