Arbëri

AKK-ja nis mbledhjen dhe trajtimin e informatave për punësimet në KEK

Deklarimi i pasurise

Agjencia Kundër Korrupsion ka bërë të ditur se ka filluar mbledhjen dhe trajtimin e informatave të rëndësishme duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim të interesit në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, pas pretendimeve se në konkursin e fundit të KEK-ut ka pasur të punësuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nëpërmjet një deklarate të lëshuar gjatë pasdites të së mërkurës, ku AKK-ja ka sqaruar rolin e saj në raport me pretendimet që ka pasur parregullësi në procesin e rekrutimit në KEK, kjo Agjenci ka thënë se nuk mund të ndërmarrë procedura hetimore administrative për të njëjtin rast për të cilin janë iniciuar hetime nga Prokuroria.

“AKK-ja nuk mund të ndërmarr procedura hetimore administrative që për njëjtin rast janë iniciuar hetime nga Prokuroria. Ndërsa, në lidhje me pretendimet për konflikt të mundshëm te interesit në këtë proces, AKK ka filluar mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim te interesit në kuadër te KEK-ut”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Kjo Agjenci ka shtuar se procedura për shqyrtimin e konfliktit të interesit është konfidenciale.

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në një konkurs të KEK-ut, pasi disa media raportuan të hënën për dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave.

Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.

Përveç në media, të martën, edhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka emëruar militantë në KEK dhe kërkoi anulimin e konkursit, derisa ftoi Prokurorinë për hetime.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, deklaroi të mërkurën se ky subjekt politik nuk është i përfshirë në punësime partiake, e sipas tij, VV-ja ka qenë gjithmonë kundër praktikave të punësimit pa kriter.

Për punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Manxhuka tha se asnjë zyrtar i VV-së nuk e ka askënd të punësuar aty, derisa paralajmëroi padi për personat që deklaruan se VV-ja ka punësuar militantë.