Arbëri

Ahmeti tregon për masat që do t’i marrë komuna për të luftuar ndotjen e ajrit

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar për masat që do t’i marrë komuna për të luftuar ndotjen e ajrit.

Ahmeti thotë se si masë afatmesme është projekti për ngrohje qendrore me panele solare, që thotë se është projekti më i madh në Ballkan i këtij lloji.

“Kemi nisur projektin më të madhin në Ballkan për ngrohje qendrore me panele solare, për t’i lidhur lagjet Tophane, Medrese, Kodra e Trimave, Kolovicë dhe të tjera. Ky projekt në vlerë rreth 45 milionë euro duhet të kompletohet brenda 4 viteve”, deklaroi Ahmeti, raporton Koha.net.

Tutje, ai tha se po vazhdon edhe zgjerimi i rrjetit dhe dyfishimi i kogjenerimit për t’i kyçur të gjitha ndërtesat kolektive.

“Investimi i përgjithshëm është rreth 70 milionë Euro, dhe një pjesë e konsiderueshme janë siguruar si grante dhe si kredi”, tha më tej Ahmeti.

Ndërkaq, si masë afatshkurtër, Ahmeti thotë se do të ishte ndalimi i përdorimit të qymyrit për ngrohje, por kjo, sipas tij, nuk mund të bëhet përmes inspektimit individual të shtëpive pasi që “thjeshtë është e pamundur”.

“Kjo mund të ndalet vetëm në burim nga niveli qendror – qeveria. Pra të ndalohet mihja e qymyrit që përfundon në treg si dhe të ndalohet importi për ngrohje individuale që do ta pamundësonte sjelljen e qymyrit në treg. (Një thes kushton 2 euro). Mirëpo, kjo nuk e merr parasysh faktorin socio-ekonomik, dhe në qoftë se nuk përcillet nga subvencionimi i qytetarëve për ngrohje është me pasoja. Pra, qytetarët për shkak të situatës ekonomike kanë zgjedhur këto metoda”, shton Ahmeti.

Më tej, kreu i komunës së Prishtinës thotë se ka edhe masa tjera të shpejta, por të cilat, sipas tij, “janë pa ndonjë efekt të madh në situatën aktuale”.

“Masat e trafikut janë duke u zbatuar dhe edhe gjatë këtij viti me parking, ‘congestion charge’ dhe masa të tjera do të kemi reduktim të trafikut gjatë vitit. Megjithatë, problemi kryesor mbeten metodat alternative të ngrohjes”, tha Shpend Ahmeti.

Ahmeti tha se këto ditë janë duke zhvilluar takime me palë të interesit por shtoi se edhe vakumi institucional po krijon telashe, duke shfaqur shpresën që qeveria të formohet sa më shpejt në mënyrë që t’i koordinojnë masat afatshkurtra dhe afatmesme.

Në këtë postim, Ahmeti ka treguar edhe për disa shkaqe të ndotjes së ajrit.

“Analizat dhe raportet të përpiluara edhe nga ekspertë vendorë edhe nga të huaj tregojnë për disa shkaqe të ndotjes së ajrit të cilat janë të ngjashme me plotë qytete të tjera. Ajo çka është më akute është situata gjatë dimrit kur gjendja përkeqësohet. Atëherë vërejmë se ka një korrelacion direkt (ndikim direkt) të disa parametrave me ndotjen e ajrit. Ka korrelacion negativ të temperaturës, pra kur ka rënie të temperaturës ka ngritje të ndotjes. Ka korrelacion pozitiv me lagështinë e ajrit, pra kur lagështia e ajrit është e lartë rriten vlerat e grimcave 2.5 si dhe ka korrelacion pozitiv edhe me shtypjen atmosferike. Këto dy të fundit janë të kuptueshme, me lagështi grimcat janë më të rënda dhe rrinë më afër tokës, dhe poashtu shtypja ka ndikim që grimcat të qëndrojnë më afër tokës”, u shpreh Ahmeti.

Sipas tij, ndotja e ajrit si shkak i ndryshimit të temperaturës është e qartë pasi që, siç tha ai, “kemi të bëjmë me burimet e ngrohjes, pra përdorimin e druve dhe, edhe më keq, të qymyrit në lagje të banimit individual në qytet”.

Ai ka sqaruar edhe arsyen se pse ka ndodhur rritja e përdorimit të qymyrit në disa pjesë të qytetit.

“Qe disa vite, KEDS-i ka filluar të luftojë informalitetin, apo humbjet në rrjet, duke pretenduar se ka pasur lagje në të cilat kanë pasur më shumë se 60 për qind humbje në rrjet. Sipas tyre, qytetarët kanë përdor rrymën për ngrohje për shkak se një pjesë e konsiderueshme nuk e kanë paguar. Me largimin e orëve nga shtëpitë, qytetarët janë detyruar të kalojnë në metoda alternative/më të lira të ngrohjes. Edhe çmimi i druve është rritur, ndërsa qymyri është shumë më i lirë krahasuar me metodat tjera”, ka theksuar kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.