Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ahmetaj: Kurti dështoi në dialog, Qeveria amatore dhe injorante

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për të ndarë dialogun me Serbinë me procesin e integrimit në BE, ishte injorant, amator dhe “tregues se Qeveria ka dështuar në këtë aspekt”.

Sipas ish-ministres, këtë qëndrim e kishte bërë edhe Serbia kohë më parë, ndërsa ajo theksuar se deklarimi i Kurtit ishte shumë i çuditshëm.

“Deklarimi i Kurtit për të ndarë dialogun nga integrimi ishte mesazh i qartë i dështimit të Qeverisë në raport me dialogun. Kush është ajo mendje e ndritur që i ka thënë Kurtit të deklarohet ashtu”, ka thënë ajo të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Ish-ministrja ka shtuar se “nëpërmjet procesit të dialogut është tentuar të zgjidhen problemet me Serbinë”.

“Kemi lobuar që të jetë kushti kryesor për Serbinë e ata të detyrohen që të gjitha marrëveshjet t’i inkorporojnë në një dokument e t’i rishikojnë me Komisionin Evropian e BE-në që t’i përmbushin obligimet. Deklarimi i Kurtit ishte befasia më e madhe, nga perspektiva ime si ish-ministre, ka qenë një mesazh i qartë i dështimit të tërësishëm të kësaj Qeverie në raport me dialogut. Pranim i dështimit, ikje nga përgjegjësia, nga marrëveshjet që u bënë e paguam me sanksione, ne kthemi e i themi se s’na duhet dialogu, duam atë ta ndajmë nga integrimit”, ka shtuar tutje ish-zyrtarja e shtetit.

Edhe Ahmetaj: Qeveria i prishi urat e bashkëpunimit, dialogu pa rezultat Arbëri Ahmetaj: Qeveria i prishi urat e bashkëpunimit, dialogu pa rezultat

Ajo ka shtuar se kryeministri Kurti dhe ekipi negociator “po e tregon injorancën totale në dialog”, derisa ka përmendur se deklarimi i Kurtit ishte për opinionin e brendshëm se “ne s’duam të merremi më me dialogun”.

“Ajo që ka mbetur të vjen nga Brukseli është kushti dhe afati kur Kosova ta draftojë statutin e Asociacionit...Kosova po shihet si palë amatore e injorante që i ikën përgjegjësisë kur vjen te realizimi i zotimeve. Po dëshiron të gjejë strategji për t’u larguar nga vendimet që i ka marrë. Për shkak të politikës së dështuar, Kosova po i paguan faturat. Kemi humbur mundësinë e investimeve kapitale nëpërmjet sanksioneve”, ka theksuar Ahmetaj.