Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, ka zgjedhur Ahmet Ismailin, guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Për Ismailin kanë votuar 56 deputetë.
Ismaili ka qenë drejtor i Thesarit në kohën kur ka ndodhur vjedhja e 2.1 milionë eurove. Për këtë rast, ka vendim të Gjykatës së Apelit që ka dënuar me burgim dhe gjobë, Labinot Grudën dhe Kadri Shalën.
Kundërkandidat i Ismailit ishte Lulzim Ismajlin, i cili mori vetëm 4 vota.
Mandati i guvernatorit është pesëvjeçar me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat.
Edhe
Guvernatori Ismaili paralajmëron ndjekje penale për ata që tregtojnë me dinar
Biografia e Ismailit:
Ahmet Ismaili u lind në Podujevë, ku e ka kryer edhe shkollën fillore dhe të mesme.
Studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, në Drejtimin Banka dhe Financa.
Është doktor i shkencave ekonomike, në drejtimin Banka dhe Financa, po në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Karrierën profesionale e filloi në moshën 21 vjeçare, si bankier. Ka punuar në nivele të larta menaxheriale në banka e sigurime, deri tek pozitat me të larta drejtuese në sektorin publik, siç është ajo e Drejtorit te Thesarit te Shtetit, për një mandat të plotë.
Ishte anëtar i Komitetit Kombëtar të Pagesave në BQK.
Aktualisht, është Drejtor Menaxhues dhe anëtar bordi i institucionit të pavarur Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ndërsa paraprakisht ishte edhe anëtar bordi dhe anëtar i Komitetit te Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore.
Ka përvojë si ligjërues rreth 8 vjet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, si dhe universitete tjera të akredituara në Kosovë, si në nivelin e Bachelor dhe Master, në lëndët si: banka dhe afarizëm bankar, menaxhmeti financiar, analize financiare, etj.
Edhe
Guvernatori i përgjigjet opozitës: Asnjë nen i rregullores nuk është diskutuar në Bruksel
Paralelisht gjatë 16 vjetëve ka qenë i angazhuar herë pas herë si trajner i lartë i certifikuar – ekspert i Shoqatës se Bankave të Kosovës, me ç’rast në kuadër të Qendrës së Trajnimeve ka trajnuar dhe certifikuar me qindra bankiere të bankave të ndryshme në Kosovë.
Gjithashtu, ka punuar si ekspert dhe konsultent i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, si ekspert për financat publike në Qendrën për Ekselencën Financiare (CEF) me seli në Lubjanë të Sllovenisë si dhe kompani amerikane financiare me seli në Washington D.C.