Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Agon Limani emërohet kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur

Agon Limani

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, pozitë që deri më tani mbahej nga ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti.

Në një status në Facebook, Kurti ka thënë se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash dhe kujtoi angazhimin e përbashkët në kërkim të drejtësisë për krimet e luftës, duke përmendur aksionin e vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut, kur u publikua lista me emrat e 56 personave të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël.

Sipas Kurtit, Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, e cila, siç tha ai, është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku u dënua Darko Tasiq.

“Gjatë luftës Limani ka qenë ushtar i UÇK-së, ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga krimet e luftës. Vëllai i tij është vrarë, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur nga masakra e forcave serbe në Krushë të Vogël. Ai më herët ka drejtuar edhe Shoqatën për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer ‘26 Marsi 1999’ “, ka shkruar Kurti. 

Kurti bëri të ditur se Limani është inxhinier i elektroteknikës me profesion dhe ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.

Edhe Konfirmohen mbetjet mortore të treshes së “Grupit të Intelektualëve” Arbëri Konfirmohen mbetjet mortore të treshes së “Grupit të Intelektualëve”

Në shkrimin e tij, Kurti ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimeve nga Serbia.

Ai ka thënë se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe përsëriti thirrjen për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur, duke përfshirë hapjen e arkivave ushtarake, në veçanti të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.