Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AGK-ja dënon kërcënimin e zyrtarit komunal të Lipjanit ndaj gazetarit të “Kohës Ditore”, Agim Ademi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon kërcënimin dhe gjuhën banale të zyrtarit Avni Olluri, drejtor i Administratës në Komunën e Lipjanit, ndaj gazetarit të “Kohës Ditore”, Agim Ademi.

AGK me shqetësim e ka pranuar një incizim telefonik në të cilin Olluri e kërcënon gazetarin duke i kërkuar të mos merret me të.

“Unë po të tregoj: mos u merrni me mua se nuk ja kom borxh askujt karrierën politike dhe ta keni të qartë këtë punë. Por dije se nëse vjen puna unë e heq kollaj kravatën dhe jap dorëheqje. E pastaj merrna me ty dhe ta zë rrugën”, i ka thënë Olluri gazetarit Ademi nëpërmjet telefonit.

Sipas Ademit, zyrtarët komunalë të Lipjanit, disa herë i kanë bërë presione dhe shantazhe me qëllim të zmbrapsjes nga shkrimet për qeverisjen lokale. Në telefonatën që ia ka bërë gazetarit, Olluri ka përdorur edhe gjuhë banale e denigruese.

“AGK e dënon kërcënimin dhe gjuhën e zyrtarit komunal ndaj gazetarit dhe e fton Ollurin të distancohet nga kjo qasje ndaj Ademit dhe t’i kërkojë falje publike”, thuhet në reagim.

Edhe Opozita në Lipjan kundërshton kërcënimet ndaj gazetarëve Arbëri Opozita në Lipjan kundërshton kërcënimet ndaj gazetarëve

AGK e fton Ollurin, që në rast se ka pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga Ademi, t’i ndjek rrugët ligjore dhe assesi të mos përdorë gjuhë kërcënuese, banale e denigruese ndaj gazetarit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon gazetarët që të mos zmbrapsen nga kërcënimet e tilla ndërsa rastet e pengimit në punën e tyre profesionale t’i lajmërojnë në polici dhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.