Tiranë, 11 maj – Ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të zhvillojë më tepër fluksin e qarkullimit të pasagjerëve si dhe do të konkurrojë ndjeshëm çmimin e biletave të fluturimit, duke reduktuar kostot për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro–Turke, theksoi se linja e re ajrore kombëtare dhe ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të bëhen realitet shumë shpejt, duke rritur kështu punësimin dhe ekonominë e vendit.
“Ndërtimi i aeroportit të ri të Vlorës dhe linja jonë ajrore do të rrisnin ekonominë dhe punësimin. Aeroporti i Vlorës do të jetë një stimul i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë, punësimit, ndërsa linja e re ajrore kombëtare do të jetë më në fund një mundësi e re dhe e shumëpritur nga shqiptarët.
Falë këtyre dy ndërhyrjeve strategjike do të kemi rritje të fluksit të pasagjerëve që udhëtojnë, por edhe ulje të çmimeve për shqiptarët, do të ndihen të çliruar nga laku i çmimeve të larta të udhëtimit. Ende ju ndesheni me vështirësi të llojeve të ndryshme, në aspektin e burokracisë, por së bashku do i kapërcejmë, falë edhe mbështetjes që na jep ministrja për Sipërmarrjen”.