Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abuzimet po e shkatërrojnë sistemin shëndetësor në Kosovë

Sindikalistët e Shëndetësisë janë ankuar për keqpërdorime me numrin e punëtorëve në sistemin shëndetësor në Kosovë.

Sindikalistët e Shëndetësisë kanë thënë se numri i pozitave të ndryshme në këtë sektor arrin mbi 120, kurse, sipas tyre, në listën e pagave përfshihen edhe punëtorë pa punuar fare.

Numri i madh i punëtorëve në sistemin shëndetësor si dhe pozitave në këtë sistem, kanë bërë që sindikalistët të ngritin zërin deri të instancat me të larta të institucioneve në vend. Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radio Kosovën se abuzimet e tilla po e shkatërrojnë sistemin shëndetësor në vend.

“Në listën e pagave aktualisht janë diku rreth 122 pozita, dhe realisht në këtë listë të pagave ka edhe shef të fotokopjes, ka edhe filan fisteku... me numrin 9999, që janë në listë të pagave. Ka edhe njerëz të cilët nuk i kemi pa edhe nuk i njohim. Ta zëmë, në administratë ka ekonomistë me shkollë të mesme që e ka koeficientin me të madh se një specialist dhe ka abuzime të favoreve të ndryshme”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi për informim në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shpend Fazliu, tha se menaxhmenti është duke punuar në ristrukturimin e organizimit të brendshëm në tërë sistemin publik shëndetësor.

Edhe Bajrami: Gjendja në shëndetësi e ka emrin korrupsion Arbëri Bajrami: Gjendja në shëndetësi e ka emrin korrupsion

“Brenda këtij organogrami do të qartësohen edhe pozitat kyçe qe e përbëjnë Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, përfshi pozitën drejtor të klinikave, drejtor të spitaleve të përgjithshme, por edhe pozicioneve të tjera mbështetëse administrative dhe teknike”, tha ai.

Sindikalisti Xhemajli ka thënë se këtë shqetësim e kanë adresuar edhe te kryeministri Ramush Haradinaj. Kërkesat e tyre janë që në Parlamentin e Kosovës të miratohet ligji mbi pagat, i cili do të mundësonte pastrimin e listave të pagave, nivelizimin e tyre, ku njëherësh do të kursehej edhe buxheti i Kosovës.