Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abrashi: AKR-ja ende s’e ka vendosur a do të shkonte e vetme në zgjedhje

Emir Abrashi

Kryetari i ri i Aleancës Kosova e Re, Emir Abrashi, ka thënë se janë të interesuar që të zgjidhet çështja e presidentit dhe vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje, mirëpo në rast se do të ketë sërish zgjedhje, ai thotë se do të mblidhen strukturat e partisë dhe do ta vlerësojnë nëse garojnë si parti e vetme apo me ndonjë subjekt tjetër.

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës nuk arriti të bëjë marrëveshje për çështjen e presidentit as me Lidhjen Demokratike të Kosovës e as me Partinë Demokratike të Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është sfiduese dhe normalisht akoma shumë punë për të kuptuar gjendjen në terren, për t’i parë strukturat e AKR-së. Më duhet pak kohë për të kuptuar situatën në terren. Ne si subjekt politik jemi të interesuar që të shohim një zhbllokadë sa i përket figurës së presidentit dhe jo domosdo jemi për të shkuar në zgjedhje. Nëse shkohet në zgjedhje, do t’i mbledhim strukturat, do të shohim si do të qëndrojmë dhe do të marrim vendim nëse do të futemi vetëm apo me ndonjë subjekt tjetër politik”, ka thënë Abrashi.

Abrashi ka thënë se synojnë që qytetarëve t’iu ofrojnë një alternativë të re pasi sipas tij, në takime me ta përmes projekteve nga shoqëria civile të cilës i përkiste deri më datën 18 prill, e ka vënë re se nuk janë të kënaqur me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje e as me atë të opozitës.

“Qytetarët e këtij vendi nuk janë të kënaqur me drejtimin që e ka marrë ky vend. Nuk janë të kënaqur me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje por nuk shohin alternativë as te opozita. Kur tanimë AKR-ja ndodhet në pikën më të ulët historike të saj më është ofruar kjo mundësi. Sfidë e jashtëzakonshme por kam vendosur që të angazhohem me qëllimin që të ofroj një alternativë për qytetarët që nuk e gjejnë as të LVV-ja e as te partitë e opozitës”, ka thënë Abrashi.

Emir Abrashi nga shoqëria civile është zgjedhur kryetar i Aleancës Kosova e Re, në mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të kësaj partie që u mbajt më 18 prill.

Më 12 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e pezulloi AKR-në si parti për shkak se dështoi t’i organizojë zgjedhjet e brendshme brenda afatit. KQZ-ja i dha afat që brenda 45 ditësh të mbajë zgjedhjet e brendshme.

Sipas KQZ-së, AKR-ja ishte e obliguar t’i mbajë zgjedhjet e brendshme deri më 25 shkurt 2026.

Nga kjo parti deklaruan se arsyeja se pse nuk kanë arritur t’i mbajnë zgjedhjet e brendshme të partisë ishte sepse në vitin e kaluar rastisën të jenë edhe zgjedhjet lokale edhe ato nacionale.