21:30 - Historiani dhe gazetari, Durim Abdullahu në Rubikon të KTV-së ka treguar se në shekullin e 19-të Gjuha Shqipe ishte e vetmja që me dekret perandorak ishte e ndaluar të shkruhej.
Ai tregon se kur ishte kërkuar që të botohej një gazetë edhe në gjuhën shqipe, një gjë e tillë nuk është bërë me arsyen se do të shkaktonte destabilizim politik.
“Gjatë gjithë shekullit të 19-të kemi shkolla prej vitit 1836, kur hapet shkolla e parë serbe në Prizren, gjatë viteve dyzetë kemi shkolla serbe në Vushtrri, Pejë, Prishtinë. Kemi gazetën e parë serbe më 1871, gazeta “Kosova” që botohej në serbisht dhe osmanisht, por jo në shqip. Kurse kur është kërkuar që gazeta të botohet në shqip, përgjigja për këtë ishte se një gjë e tillë do të shkaktonte destabilizim politik nëse shqiptarët nisin të lexojnë shqip. Me shumë gjasë Gjuha Shqipe duhet të ketë qenë e vetmja në Evropë e ndaluar të shkruhet me dekret perandorak”, ka deklaruar Abdullahu.
21:15 - Bezeraj: Përmes figurës së Skënderbeut rilindasit synuan shkëputjen e shqiptarëve nga Lindja
Historiani, Selim Bezeraj në Rubikon të KTV-së ka deklaruar përmes figurës së Skënderbeut rilindasit synuan që të bëjnë shkëputjen e shqiptarëve nga Lindja dhe përafrimin me Evropën.
Edhe
Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar
Megjithatë, ai thotë se një gjë e tillë ishte shumë e vështirë për shkak të ndikimit osman në trojet shqiptare.
“Historiografia shqiptare e ka pas në fokus periudhën e Skënderbeut në kohën e rilindjes kombëtare e cila luftua për me i shkëput shqiptarët nga Lindja e me përafruar me Evropën, por që në atë periudhë ka qenë e vështirë pasi shekujt e tanë kanë ndikuar që shqiptarët të ofrohen me osmanët, ndoshta edhe për shkak të fesë. Elementi kryesor në atë kohë nga të gjithë rilindasit ishte nxjerrja e figurës së Skënderbeut, për me afru me perëndimin, pra se kanë marrë fenë si element. Kurse elementet tjera janë Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë Bezeraj.
20:50 - Mala: Në shekullin e 19-të shqiptarët ishin sa afër aq edhe larg Evropës
Historiani, Muhamet Mala ka deklaruar se në shekullin e 19-të trevat shqiptare sa ishin afër aq ishin edhe larg Evropës, kjo për shkak të dallimeve që ekzistonin në perandorinë osmane.
“Në shekullin e 19-të trevat shqiptare ishin sa afër aq edhe larg Evropës, pasi sistemi i vlerave të Perandorisë Osmane dallonte krejtësisht nga vlerat evropiane. Interesimi i udhëpërshkruesve të kësaj periudhe ishte që ta prezantojnë Perandorinë Osmane në një formë që nuk është njohur më parë”, është shprehur Mala në Rubikon të KTV-së.
Sipas Malës ishte periudha e rilindësve që u munduan të pasqyrojnë më realisht këtë periudhë.
Edhe
Publicistika shqiptare në dy shekuj – betejë për ndërgjegjësim
“Tendenca për të pasqyruar më realisht pjesën shqiptare në atë kohë ishte nga rilindësit. Është një luftë ndërmjet dy ideve që për fat të keq i paraqet në këndvështrime të ndryshme Kosovën në atë periudhë”, shprehet Mala.
Krasniqi: Shumë pak studime për Kosovën e fundshekullit të 19-të
Historiani, Nehat Krasniqi, njëherësh pjesë e Institutit Albanologjik të Kosovës në Rubikon të KTV-së ka thënë se shumë pak janë bërë studime të jetës së përditshme në Kosovën e fundshekullit të 19-të.
Sipas tij ka mjaft të dhëna për luftërat politike, por jo edhe për jetën e përditshme, ndërsa thekson se ka shumë dokumente në qytete të ndryshme që nuk janë studiuar.
“Çalon studimi i jetës së përditshme, ndoshta ka mjaft të dhëna për luftërat politike, por jo për jetën e përditshme të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe. Janë shumë pak të studiuara. Gjithë ai mal i dokumenteve që ruhen, sidomos në Stamboll, pastaj në Romë, Sarajevë etj, ruhen dokumente shumë të rëndësishme për shqiptarët, por donë kohë që të studiohen për të nxjerrë në pah jetën ekonomike, kulturore të shqiptarëve”, shprehet Krasniqi.
Edhe
Shqipja e shkruar që frikësonte Perandorinë Osmane
Krasniqi shton se fakti pse Shqipëria është pak më shumë e studiuar, ka më shumë materiale që janë hedhur dritë janë edhe për shkak të dy pashallëqeve të mëdha që kanë qenë, të Janinës dhe Shkodrës. Megjithatë, sipas tij ende nuk janë studiuar ato që janë në gjuhë evropiane e lëre më në atë osmane.
Ai ka shtuar se, “njerëzit të cilët kanë dhënë kontribut në historinë e Kosovës nuk janë brenda saj. Ata janë jashtë Kosovës”.