Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdullahu: Deri më tani historia e Jasharëve ka mbetur e pastudiuar

Historiani, Durim Abdullahu, ka thënë se historia e Jasharëve të Prekazit deri më tani ka mbetur e pastudiuar.

Ai në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka theksuar se nuk ka asnjë libër të mirëfilltë studimor e shkencor për familjen Jashari.

Abdullahu që është një nga ekspertët e angazhuar nga Qeveria e Kosovës për të dokumentuar atë që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars në Prekaz, ka thënë se në të njëjtën formë e gjithë historia e luftës në Kosovë nuk është shkencëruar dhe për të nuk është bërë asnjë studim i mirëfilltë shkencor.

“Nuk ka ende mirëfilli një historiografi as të themeluar për luftën në përgjithësi, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as masakrat, as betejat, as rezistenca, as lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Sipas tij edhe pse të gjithë kanë dëgjuar për familjen Jashari dhe rezistencën e saj, për ngjarjet rreth kësaj familjeje dihet pak.

Edhe Homazhe në Prekaz në nder të Epopesë së UÇK-së Arbëri Homazhe në Prekaz në nder të Epopesë së UÇK-së

“Të gjithë shqiptarët kanë dëgjuar dhe dinë për Adem Jasharin, familjen Jashari, për rezistencën e familjes Jashari në Prekaz, por nëse futemi brenda historisë së kësaj familjeje, të këtyre personazheve, të njerëzve që kanë qenë të lidhur me këtë histori, përgjithësisht dihet pak, dihet pak në raport me atë se sa shumë ngjarje ka pasur, se sa e dendur është veçanërisht periudha e viteve 90’”, ka theksuar Abdullahu.

Sipas tij fatmirësisht historia për familjen Jashari është e dokumentuar dhe se për të ka burime arkivore, bazuar në të cilat mund të bëhen studime.

Periudha e cila kërkon më shumë mund për t’u dokumentuar është periudha 6-vjeçare e ilegalitetit të Adem e Hamzë Jasharit. “Nga fillimi i janarit i vitit 1992, le të themi pas sulmit të parë, që i detyron të dalin në ilegalitet Ademin dhe Hamzën, deri në janar të 1998, që i bie saktësisht 6 vjet e tri janë. Përfytyroni dy vëllezër të armatosur që për 6 vjet arrijnë të fshihen”, ka theksuar Abdullahu.

Ai ka thënë se për njohje më të thuktë të këtyre ngjarjeve do të jetë e rëndësishme edhe qasja e historianëve në arkivat e institucioneve të sigurisë të Serbisë, gjë që sipas tij nuk do të ndodhë edhe për një kohë të gjatë.

“Për një njohje sa më të thuktë dhe për një kompletim të të gjithë kontekstit të gjerë historik dhe social në të cilin janë zhvilluar këto ngjarje veçanërisht në vitet 90’, dhe kjo kam frikë që nuk do të ndodhë edhe një periudhë të gjatë, është që historianët të mund të kenë qasje në burimet dokumentare arkivore, veçanërisht të arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të institucioneve të sigurisë, të Serbisë”, ka theksuar ai, duke shtuar se ato e kanë vëzhguar familjen Jashari.

Abdullahu ka thënë se Serbia nuk ka dhënë asnjëherë të dhëna të sakta se sa pjesëtarë të policisë serbe kishin marr pjesë në sulmet ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998.

Por ai ka theksuar se nga burime të tjera flitet për një shifër prej 12 deri në 15 mijë trupa policore.

Edhe 28 vjet nga rënia e familjes Jashari, sot nis Epopeja Arbëri 28 vjet nga rënia e familjes Jashari, sot nis Epopeja

“Për aksionin e marsit të dhënat nuk jepen të plota nga ana e Serbisë, por nga burime të tjera të tërthorta dimë që 12 deri në 15 mijë trupa policore kanë qenë të përfshirë dhe këtë duhet ta kuptojmë jo vetëm në Prekaz, përtej kësaj duhet ta kuptojmë që ky aksion ka qenë i përfshirë në një të katërtën e Kosovës”, ka theksuar Abdullahu.

Ai ka thënë se Serbia në këtë aksion ka evidentuar vetëm 2 të vrarë e 7 të plagosur, por Abdullahu ka thënë se beson që faktet tregojnë që numri i viktimave ka qenë shumë më i madh.