Më 5 mars të vitit 1998 u shënua sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.
Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit ishin vrarë 22 anëtarë, e 33 të lagjes dhe të tjerë. Sulmit i kishin shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit që ia kishte dalë të ikte nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSulmi i parë ndaj familjes Jashari ishte bërë më 30 dhjetor të 1991-s, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.
Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.
Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.
Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në 28-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
OVL e UÇK-së: Thellësisht fyese të mos ftohemi në seancën solemne për Epopenë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar pasi thonë se nuk u ftuan në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Në reagim thuhet se është paradoksale të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit por të mos ftohen ata që luftuan.
“Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri. Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Në nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë mbledhur solemnisht për të kujtuar e nderuar sakrificën e familjes Jashari.
5, 6 dhe 7 marsi u shndërruan në muaj të epopesë dhe sakrificës që ringjalli një komb të tërë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës.
Rreshtimi i kuadrateve të FSK-së, Kurti: Ashtu siç mund t’i ketë ëndërruar komandanti Adem Jashari
Në shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në kazermën “Adem Jashari” është bërë rreshtimi i i kuadrateve të FSK-së. Në ceremoninë e rreshtimit të tyre, presidentja Vjosa Osmani, teksa nderoi dhe çmoi kontributin e UÇK-së, deklaroi se FSK-ja është trashëgimtarja e denjë e saj.
Osmani theksoi se komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, e shndërruan gjakun e tyre në vulën e lirisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zëri i një populli të shtypur. Ishte organizimi i guximit dhe shpresës që u ngrit kundër padrejtësisë. Ishte ndërgjegjja kombëtare që nuk pranoi të heshtë. Epopeja e marsit ’98 është dëshmi se liria fitohet me sakrificë, me unitet, me besim në të drejtën tonë për të jetuar të lirë në vatrat tona shekullore. Sot krenaria jonë nuk qëndron vetëm në të kaluarën. Ajo marshon para nesh me uniformë moderne, me profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Republikës sonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare denje e UÇK-së. Ajo bart në zemër idealin e lirisë dhe në duar mban përgjegjësinë e sigurisë së vendit”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij dhe në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, tha se FSK-ja po rreshtohet me ushtritë e NATO-së dhe është ashtu siç mund ta ketë ëndërruar kryekomandanti Adem Jashari, atëherë kur ushtria e Kosovës ishte veçse një ide e nuk besohej.
“FSK sot rreshtohet me ushtritë e NATO-s, zbarkon misione që ndërtojnë dhe mirëmbajnë paqen kudo nëpër botë. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur, të nderuar pjesëmarrës, dhe po ngjan, nën urdhra dhe komanda të dhëna nga një kazermë ushtarake me emrin ‘Adem Jashari’, këtu ku jemi mbledhur sot, më 5 mars 2026, në ditët e para të Epopesë së UÇK-së, për ta kujtuar dhe nderuar pikërisht rezistencën e kryekomandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij. Përpara nesh janë rreshtuar kuadratet e Ushtrisë së Kosovës, ashtu siç duhet t’i ketë ëndërruar Adem Jashari dikur, në një kohë kur Ushtria e Kosovës ishte veçse një ide që besohej nga fare pak njerëz”, deklaroi kryeminsitri Kurti në fjalën e tij.
Kurti: E nderojmë sakrificën e Jasharëve me punë të ndershme e institucione stabile
“Krahas së qenuri një ditë nderimi sot është edhe një ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret. Sot ne jemi një shtet i një populli liridashës që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë. Ne e nderojmë sakrificën e Jasharëve teksa e forcojmë Republikën e Kosovës çdo ditë me punë të ndershme e institucione stabile. Kjo është mënyra më e mirë për ta kthyer kujtesën në përgjegjësi dhe historinë në udhërrëfyes”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se familja Jashari, me heriozimin e saj u bë simbol kombëtar dhe në vetëdijen tonë do të mbetet si kujtesë që liria paguhet shtrenjtë.
“Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes, në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak. Toka u bë altar i lirisë, e një familje u bë simbol kombëtar. Kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë, se ajo është vlerë që nuk negociohet dhe është e drejtë e patjetërsueshme”, ka deklaruar Kurti.
Fjalime përkujtuese e nderuese për familjen Jashari, kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Kosovës.
Osmani: Sakrifica e familjes Jashari në Prekaz ndryshoi drejtimin e historisë së Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Epopenë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke theksuar se qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari në mars të vitit 1998 në Prekaz i dha një drejtim të ri historisë së Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit për Epopenë e UÇK-së, Osmani ka thënë se muaji mars, i cili në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, për shqiptarët u bë muaj i përballjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë.
Sipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz u bashkuan qëndresa, sakrifica dhe heroizmi, kur komandanti i UÇK-së Adem Jashari qëndroi në kullën e familjes së tij së bashku me familjarët, duke zgjedhur sakrificën para dorëzimit dhe lirinë para frikës.
Ajo theksoi se gjatë atyre tri ditëve marsi u shndërrua në muaj të epopesë dhe sakrificës që ringjalli një komb të tërë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës.
“56 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri – kushtrim që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë botën”, ka thënë Osmani.
Presidentja shtoi se Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës së Kosovës, pasi nga Prekaz nisi, siç u shpreh ajo, “orteku i lirisë” që nuk u ndal më.
Osmani theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ndërsa figura e komandantit legjendar Adem Jashari mbetet kujtesë se liria nuk është dhuratë, por sakrificë.
Ajo u shpreh se familja Jashari mbetet simbol i flijimit dhe i dinjitetit shtetëror, duke shtuar se me qëndrimin e saj të palëkundur vazhdon të qëndrojë në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun.
Haxhiu: Sakrifica e Jasharëve mbeti themel i qëndresës së kombit tonë
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se në marsin e vitit 1998 shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë.
Ajo ka thënë se në agimin e 5 marsit forca të shumta policore serbe e izoluan fshatin.
Në fjalën e saj ka thënë se komandanti Adem Jashari dhe të gjithë e dinin se çfarë dite kishte ardhur.
“Në tri ditë luftime e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre për të mos u larguar nga toka e tyre. Në atë shtëpi të gjithë bashkë të vetëdijshëm për ata që po vinte, askush nuk u largua. Sakrifica e të gjithë atyre mbeti themel i qëndresës së kombit tonë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se pas Prekazit, UÇK-ja u bë realitet i pakthyeshëm.
Haxhiu ka shtuar se Epopeja nuk është vetëm një ngjarje, por mesazh i përjetshëm se sakrifica për liri mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.
“Toka e Prekazit nuk është e rëndë vetëm për atë që ndodhi aty, ajo është e rëndë sidomos për atë që kërkohet prej nesh. Kërkon maturi, karakter e bashkim kur është shumë e vështirë. Kërkon që liria të mos përdoret por të përparojë”, ka deklaruar ajo.

Kurti: Familja Jashari u bë simbol i lirisë dhe unitetit kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Epopenë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke e cilësuar sakrificën e familjes Jashari si ngjarjen më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë të enjten, Kurti ka thënë se qëndresa e familjes në Prekaz në mars të vitit 1998 përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe në bashkimin e shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë.
Sipas tij, përballja e familjes Jashari me forcat serbe ishte jashtëzakonisht e pabarabartë, por me domethënie të madhe historike.
“Në analet e historisë së Evropës vështirë se gjendet një rast kur një familje e vetme i bën rezistencë një shteti okupator. Edhe pse familja Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të pajisura rëndë, ata luftuan dhe qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën për lirinë e të gjithëve”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se vendimi i familjes për të mos u dorëzuar dhe për të qëndruar së bashku pranë komandantit legjendar Adem Jashari e bëri këtë ngjarje të pavdekshme në historinë shqiptare.
Kurti shtoi se në atë kohë gratë dhe fëmijët e familjes zgjodhën të mos ndaheshin nga kryekomandanti, duke qëndruar së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë. Sipas tij, kullat e familjes u shndërruan në fortesë, ndërsa Prekazi në simbol të kryengritjes popullore.
Ai theksoi gjithashtu se pas kësaj ngjarjeje lufta në Kosovë mori një kahje tjetër, rriti mobilizimin për të qenë pjesë e UÇK-së dhe çështja e Kosovës fitoi më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe rriti
Kurti rikujtoi deklaratën e Rifat Jasharit se “familja humbi 56 anëtarë, por fitoi zemrat e miliona shqiptarëve”.
Në fund, Kurti theksoi se institucionet po punojnë që historia e kësaj sakrifice të dokumentohet, të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm në Kosovë dhe në mërgatë.
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan dhe sulmuan kompleksin e kullave të familjes Jashari në Prekaz. Pas tri ditësh luftime, u vranë 56 anëtarë të familjes.