Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku uron Pavarësinë: Është arritja jonë më e madhe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një video të postuar në Facebook ai ka thënë se 17 Shkurti i Kosovës, është kulmim i përpjekjes së gjeneratave të tëra, për liri, për pavarësi e për demokraci.

“Është arritja më e madhe e jona pas një rrugëtimi sa krenar aq edhe të dhimbshëm, Sot kujtojmë atin themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova, prirja e të cilit ishte udhërrëfim për shtetin tonë. Kujtojmë sakrificën e Jasharajve, e gjithë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të rënë në altarin e lirisë, kujtojmë edhe përpjekjen tonë kolektive, atë të qëndresës e guximit, me të cilën përpjekje do të mburren gjeneratat që vijnë, kujtojmë në veçanti miqtë tanë që na u gjenden në orët më të vështira të vendit”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e pavdekshme.

“Të mirët tanë lartnuan shtetin, të drejtit i dhanë shkëlqimin e përditshëm. Të gjithë bashkë i bëmë vendin - të barabartë mes popujve të lirë. Kjo ëndërr e ky rrugëtim duhet të vazhdojë me po aq përkushtim. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e pavdekshme. Urime dita e Pavarësisë Kosovë! Të paqim përgjithmonë!”, ka theksuar Abdixhiku.

Abdixhiku ka bërë homazhe në Kompleksin "Adem Jashari" në Prekaz "për të nderuar heroizmin e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari dhe të kujtojmë të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë dëshmorët, të gjitha gjeneratat që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë datë të jashtëzakonshme të Republikës së Kosovës". 

 

Artikuj të ngjashëm