Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku: S’e kuptoj kundërthënien e Kurtit “jam i gatshëm ta nënshkruaj, por s’e kam pranuar”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e ka të vështirtë ta kuptojë kundërthënien e Kurti se është shprehur i gatshëm, ta nënshkruaj draftin e BE-së për Asociacionin, po që s’e ka pranuar atë.

“Kryeministër, bëhet fjalë për jetë të humbura për këtë kauzë. E kam vështirë ta kuptojë kundërthënien e llojit ‘jam i gatshëm ta nënshkruajë qysh sonte por s’e kam pranuar’, këtë s’e kuptoj. Është e trishtë ndjej keqardhje. Nesër bëhen dy javë që nga dita e pranimit të statutit të Asociacionit, akti i pranimit të këtij dokumenti ka natyrë të një zotimi ndërkombëtar. Ndonëse jemi dy javë pasi që kryeministri ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, ne vazhdojmë të jemi në terr informativ”, ka theksuar Abdixhiku.

Ai ka thënë se ende nuk e kanë parë dokumentin, ndonëse kanë kërkuar qasje në të nëpërmjet kryetarit të Kuvendit Galuk Konjufca.

“Si LDK nëpërmjet kryeparlamentarit kemi kërkuar qasje në këtë dokument nuk na është siguruar ende. Do të duhej të flisnim për një materie, meqë s’mund të flasim për përmbajtje duhet të flasim për procesin e të hamendësojmë. Kryeministri pretendon se statuti është në përputhje me Kushtetutën, presidentja njofton për dërgimin e dokumentit në Kushtetuese si shenjë e parë e mospërputhjes mes tyre”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai e ka quajtur debakël politik faktin që Kosovës është ende nën sanksione të BE-së dhe e ka akuzuar Kurtin për mashtrim e keqinterpretim të çështjes së Asociacionit për një dekadë.

“Sot jemi para një gjendje të re. Statuti i Asociacionit na vije çuditërisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë. Ende jemi nën sanksione. Debakël më të rëndë diplomatik nuk mund të kesh. Ndjej keqardhje për interpretimin që për një dekadë ia keni bërë çështjes së Asociacionit. Mashtrimi është një faqe e erret e politikës kosovare të Kosovës. Në vargun e interpretimit historik që do t’i bëhet kësaj marrëveshje duhet të kuptohet që është vazhdimësi e marrëveshjeve të arritura më herët. Dallimi i vetëm është çfarë do të marrim pas kësaj", ka theksuar Abdixhiku.