Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Kosova po përballet me valën më të rëndë të çmimeve në historinë e saj, derisa sipas tij, Qeveria Kurti i ka braktisur detyrat e saj.
Ai publikoi të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth çmimeve të konsumit, duke thënë se Qeveria vazhdon të jetë vetëm spektatore.
“Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë”, shkroi ai në Facebook.
Sipas kreut të LDK-së, politika publike duhet të jetë e gjallë.
“Vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha; të guximshme. Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë”, shkroi tutje.
Edhe
Abdixhiku: Kosova ka ngecur me Kurtin, ai dhe qeveria e tij s’e kuptojnë ekonominë
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin janar të këtij viti, për çka bëri të ditur se inflacioni mujor i matur nga ky indeks ishte 0,9 për qind gjatë këtij muaji.