Arbëri

Abdixhiku pas takimit me Rohde: VV-ja po dështon për shkak të mungesës së vullnetit politik

abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në situatën e krijuar nga ngërçi institucional.

Sipas një komunikate për media, bëhet e ditur se Abdixhiku ka theksuar domosdoshmërinë për formimin e institucioneve funksionale që i shërbejnë qytetarëve dhe ritheksoi nevojën për një zgjidhje të shpejtë politike për t’i formuar institucionet.

Njoftohet se Abdixhiku ka theksuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ai ka folur për papërgjegjshmërinë e partisë së parë dhe mungesën e vullnetit politik, në mbajtjen peng të funksionalizimit të institucioneve të vendit.

“Kjo sjellje jo vetëm që dëmton besimin qytetar, por edhe cenon parimet themelore të demokracisë dhe respektimit të rendit kushtetues?, ka thënë ai.

Sipas një postimi të LDK-së në Facebook, Abdixhiku shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj.