Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku: Kryeministri po vështron, s’po vepron për krizën ekonomike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar Qeverisë së Kosovës sa i përket menaxhimit të krizës ekonomike me të cilën po përballet vendi.

Abdixhiku ka thënë se ekzekutivi ka kaluar edhe një mbledhje të tij si vëzhgues i krizave ekonomike, për të cilat vendet e rajonit po marrin vendime.

“Maqedonia e Veriut pak orë më parë, uli TVSH-në në naftë e në derivate nga 18%, në 10%. Uli dhe akcizën për to. Dhe nuk u ndal me kaq, reduktoi në 0% të gjitha tatimet - e brendshme e doganore pa dallim - në të gjitha produktet bazike ushqimore. E bëri me qëllim që përballja e qytetarëve atje të jetë sa më e lehtë. Hapa të tillë po marrin shtetet një nga një; por shteti ynë megjithatë vështron”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të veprojë në këtë krizë që Abdixhiku e ka quajtur “e përballueshmërisë”.

Kreu i LDK-së ka thënë se Qeveria duhet t’i pranojë rekomandimet e opozitës për masa të logjikshme që nuk kanë ndonjë rrezik buxhetor.

“Janë masa të logjikshme këto; të përkohshme, dhe pa ndonjë rrezik buxhetor. Nuk ka rëndësi nga kush vijnë e kush i propozon, rëndësi kanë të implementohen ato. Çdo ditë vonesë e Qeverisë tuaj me mosreagim është çmim ekonomik i pakthyeshëm për gjithë vendin tonë”, ka shtuar më tej ai.