(Përditësuar: 10:10) - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur mashtrues kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, teksa tha se ai po e mban peng Kosovën.
Haradinaj u shpreh para mediave të enjten se qytetarët po e paguajnë çmimin “që i kanë besuar një mashtruesi”, teksa tha se bllokada institucionale duhet të marrë fund.
“...Mashtruesi, për fat të keq po e paguajmë çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Për mua s’është befasi. Edhe kjo situatë duhet të marrë fund. Mashtruesi s’mundet pa kufi të tallet me një vend. Po e mban peng Kosovën e kjo s’bën të shkojë pakufi. Takimet e përrallat e tij janë hajgare. Një njeri po e mban peng Kosovën. S’jam i befasuar. Le të mbushen mend një herë e përgjithmonë”, ka thënë Haradinaj.
AAK-ja thotë se po presin vendimin e Kushtetueses për votimin e fshehtë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se s’pret që të ketë ndonjë zhvillim në seancën e sotme konstituive.
Ai tha para mediave se po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e votimit të fshehtë.
“...Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj se ka ndonjë zhvillim”, ka thënë shkurtimisht Brahimaj.
Më 12 maj, AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit.
AAK-ja kishte njoftuar se kanë dorëzuar edhe vendime “të tjera të natyrës së njëjtë” që kanë të bëjnë me seancat paraprake dhe të mëvonshme lidhur me këtë çështje.
