Subjekti opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Lipjan ka kërkuar nga ekzekutivi i komunës ta inspektojë projektin për ndërtimin e ndriçimit publik në rrugën “Qamil Olluri” derisa sistemi i energjisë elektrike po paraqet rrezik për qarkullimin e qytetarëve dhe mirëmbajtësit e hapësirave publike. Ramiz Qeriqi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e AAK-së, nëpërmjet reagimit ka thënë se punimet e ndriçimit publike në këtë pjesë të qytetit nuk janë bërë sipas standardeve evropiane.
“Fillimisht vendosja e shtyllave të rrjetit të ndriçimit publik nuk është bërë siç duhet sepse aty mungon sasia e duhur e hekurit, pastaj mungon groposja e duhur për vendosje të shtyllës dhe aq më keq se këto shtylla po paraqesin rrezik dhe pengesë për kalimtarët dhe mirëmbajtësit e hapësirave publike. Ne kërkojmë që edhe pjesa e trotuarit të rikthehet në gjendjen e më pashme sepse kupëzat e betonit po paraqesin problem gjatë lëvizjes”, ka thënë Qeriqi, raporton KOHA.
Sipas tij, ky projekt urgjentisht duhet të inspektohet derisa kompania fituese ta bën punën sipas kontratës.
“Rreth kësaj çështje kemi reaguar disa herë edhe në mbledhjet e Kuvendit sepse edhe pjesa te kalimi i hekurudhës janë dëmtuar kupëzat e betonit derisa është ndërtuar ndriçimi publik. Ne kërkojmë nga menaxherët e këtij projekti ta bëjnë inspektimin në terren pasi që edhe vendosja e kabllove të energjisë elektrike nuk është bërë sipas standardeve andaj paraqet rrezik për qytetarët”, ka thënë Qeriqi.