Qëllimi i Vetëvendosjes, sipas deputetit të AAK-së Besnik Tahiri, është zvarritja e procesit për zgjedhjen e presidentit deri në afatin e fundit kushtetues, me synim imponimin e një kandidati të saj. Dështimi për të arritur marrëveshje deri më 28 prill e çon vendin në zgjedhje të parakohshme
Shefi i deputetëve të AAK-së Besnik Tahiri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se nuk ka vullnet që të gjejë konsensus për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, takimet e kryeministrit Albin Kurti me liderët opozitarë Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza kanë qenë më shumë “performancë publike” në funksion të interesave partiake, sesa përpjekje reale për zgjidhje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTahiri ka theksuar se Vetëvendosja po tenton ta përdorë afatin kushtetues në funksion të imponimit të një kandidati të saj.
“Qëllimi i vërtetë nuk është të zgjidhet presidentin, nuk është që të shkohet tek një president unifikues, qëllimi i vërtetë është që të na sjellin deri në ditën e fundit, ditën e fundit dhe pastaj ta shtyjnë përpara një emër i cili do të jetë vegël e partisë në pushtet që t’i marrin të tri pozitat në shtet dhe ne këtë e kemi parë me kohë dhe nuk jemi pjesë e kësaj”, ka thënë Tahiri.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka caktuar 28 prillin si afatin e fundit për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit. Në rast dështimi, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Sipas Tahirit, një skenar i tillë do të ishte i dëmshëm për vendin.
“Ky proces i ka shkaktuar dëm shumë të madh Kosovës, për shkak se Kosova nuk duhet të shkoj në zgjedhje nga muaji në muaj, nuk e ka luksin. Mirëpo, nuk ka vullnet të ndajë pushtet. Te 66 deputetët për qeveri, është krejt në rregull, te presidenti, duhet të jetë një president që përçon përtej një partie, është unifikues”, ka thënë ai.
Takimi i fundit për çështjen e presidentit është mbajtur para një jave mes Kurtit dhe Abdixhikut.
Të shtunën, Abdixhiku ka deklaruar se zgjidhjen e sheh përmes një marrëveshje të madhe LVV-LDK.
Sipas politologut Albinot Maloku, një nga opsionet për të shmangur zgjedhjet është përfshirja e një partie tjetër në qeveri.
“Subjekti më i madh parlamentar do të duhej ta dinte se pa një marrëveshje politike nuk ka mundësi të ecet përpara dhe kjo marrëveshje politike nënkupton në instancë të fundit edhe ndarjen e pozicioneve, konkretisht reforma afirmative, ndoshta si shpjegim, në qeverinë e Republikës së Kosovës në mënyrë që edhe një subjekt tjetër politik të jetë pjesë e qeverisë”, ka thënë Maloku.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku ka thënë se nuk kanë pranuar ende nga LVV-ja ftesë për takim.
E në partinë në pushtet kanë theksuar se do të deklarohen sapo të ketë ndonjë lëvizje të re.
Më 4 prill, Vjosa Osmani ia dorëzoi pozitën e presidentit, kryetares së kuvendit Albulena Haxhiu, që ta ushtrojë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Zyrtarisht, në garë për president janë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, por në seancën e 5 marsit nuk pati kuorum për të nisur votimi.
Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me 80 vota në dy raundet e para.
Aktualisht, koalicioni i ndërtuar nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, pason PDK-ja me 22, LDK-ja me 15 dhe AAK-ja me 6.