Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK i kundërpërgjigjet me pyetje Shukri Klinakut

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Brahim Mehmetaj, i ka reaguar Shukri Klinakut, aktivist i hershëm i LKÇK-së (Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës) dhe tash zyrtar i Lëvizjes për Bashkim, i cili, përmes një shkrimi, ka përkujtuar momentet e krijimit të koalicionit ndërmjet kësaj ish-lëvizjeje dhe AQK-së (Aleancës Qytetare të Kosovës) që i parapriu krijimit të partisë Aleanca për Ardhmëri të Kosovë që udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Klinaku në këtë shkrim përkujton dëshirën e, siç thotë ai, shprehur me lot të Haradinajt që në vitin 2000 për të zënë vendin e të parit në Qeverinë e Kosovës.

Haradinaj, sipas Klinakut, atëherë kishte thënë: “Unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”.

Kurse autori tash pyet: “Po sot, Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin?”.

Por, Mehmetaj, në një reagim dërguar mediave, që njëherësh është edhe ish-anëtar i LKÇK-së, në vend të përgjigjes, ka shtruar disa pyetje për Klinakun.

“Ne, ish-anëtarët e LKÇK-së, kemi shumë pyetje e pikëpyetje për z.Klinaku dhe ish-udhëheqësit e LKÇK-së, kryesorja është: ku mbeti LKÇK-ja me 30 degët e saj dhe kush është fajtori pse LKÇK e Bahri Fazliut e Agron Rrahmanit, nga shtyllat e idealit ka përfunduar së vepruari, kush përfitoi më shumë nga shkatërrimi i LKÇK-së dhe cili është kontributi juaj në shkatërrimin e saj”, nis pyetjet e tij zyrtari i AAK-së, Brahim Mehmetaj.

“Pa dashtë të analizoj takimin që përmend Shukri Klinaku, më bëri përshtypje një detaj: Ramushi paska qajtë në takim dhe paska derdhë dhjetëra lot?!”, habitet Mehmetaj.

“Njeriu, që nuk iu pa loti në sy as atëherë kur i ranë në fushëbetejë dy vëllezërit dhe bashkëluftëtarë tjerë, as kur mori plagë në trupin e tij, por vazhdoi luftën pa ikur asnjëherë nga fushëbetejat, e as atëherë kur më së miri mbrojti luftën e drejtë të UÇK-së, paska derdhur lot në zyrat e LKÇK-së?! Ketë “fakt” se beson askush, madje as anëtarët e LKÇK-së, sepse të gjithë e njohim Ramushin”, theksoi Mehmetaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Artikuj të ngjashëm