Përcaktimi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të formojë qeverinë e re vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), i ka pamundësuar opsionet tjera, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Ndonëse kanë kaluar tashmë tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ende nuk është krijuar qeveria e re, për faktin se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur të bëjnë koalicion.
Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese në Kosovë, ekzistojnë dy mundësi se si të formohet qeveria e re, në rast se nuk arrihet koalicioni ndërmjet këtyre dy partive.
Juristi Alban Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse LVV dhe LDK nuk merren vesh për të formuar qeverinë e re, kjo do të nënkuptonte se Lëvizjes Vetëvendosje do t’i hapeshin edhe rrugë tjera për koalicion qeverisës. Sipas tij, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, mund të shikojë të gjejë partnerë të tjerë, për të formuar qeverinë e re.
“Lëvizja Vetëvendosje mund të shohë mundësinë që të gjejë një partner tjetër nga radhët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend”, thotë Krasniqi.
Në këtë rast, sipas tij, partneriteti qeverisës do të duhej të ndërtohej midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe një apo disa subjekteve politike.
Mundësia tjetër, thekson ai, krijohet nëse pas marrjes së mandatit nga presidenti, mandatari për kryeministër, nuk e ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë. Në këtë rast, thotë ai, presidenti e ka diskrecion të caktojë mandatarin e dytë.
“Nëse kihet parasysh se kemi vetëm dy mundësi për të formuar qeverinë dhe nëse kjo lexohet bashkërisht me nenin përkatës të Kushtetutës që i jep presidentit një lloj obligimi të sigurojë funksionimin demokratik të institucioneve, atëherë mund të ketë kuptim që presidenti të ketë një lloj diskrecioni, tash por edhe në të ardhmen, që në herën e dytë, nëse ka dështuar formimi i qeverisë në herën e parë, të bëjë një lloj projektimi se kush ka shanse më të mëdha për të formuar qeverinë”, thotë Krasniqi.
Kushtetuta, thekson Krasniqi, e ka lënë të hapur atë se cilës parti i takon caktimi i mandatarit për herën e dytë, ndonëse aty thuhet saktë, nënvizon ai, se “duhet të jetë një kandidat tjetër nga mandatari i parë, sepse është “kërkesë eksplicite e nenit 95 paragrafi 4 të Kushtetutës”.