Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se është i vështirë bashkëpunimi me një person i cili i ndërron qëndrimet brenda ditës, duke iu referuar disa deklaratave të kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ismaili ka thënë se Kurti në të njëjtën ditë që e ftonte opozitën për bashkëpunim në lidhje me çështjen e presidentit, i quante të gjorë e të mjerë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne e kemi një traditë të mos vendosjes së vijave të kuqe mirëpo nga ajo që kam parë me Kurtin nuk po e shoh të mundshme nga ajo që po proklamon, po flet, me mënyrën si po sillet. Po më kujtohet diskutimi i fundit i tij në natën që mbyllej afati dhe fillon e flet për opozitën, i quan të gjorë e të mjerë. Po e luan rolin e një fëmije që është i lazdruar deri në atë masë që nuk mundet ta ndalë veten. I njëjti person i ftonte opozitën për bashkëpunim dhe më vonë i quante të gjorë e të mjerë”, është shprehur Ismaili në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Ismaili: Do të ketë rënie të VV-së dhe rritje të PDK-së
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, thotë se në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit Lëvizja Vetëvendosje do të ketë rënie e PDK-ja do të ketë rritje.
Ismaili në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se qytetarët në ditën e zgjedhjeve do të kenë dy opsione.
“Fokusi ynë është ta rrisim votën tonë, t’i paraqesim planet tona. E po shkon në mënyrën që do të shohim ndryshim në skenën politike. Besoj se do të ketë rënie të Lëvizjes Vetëvendosje, e do të ketë rritje të votave të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky është synimi ynë”, ka thënë Ismaili. “...Kemi dy opsione. Një opsion të një politike stabile, zhvillimit, politikë ku çdo qytetar ndihet i respektuar dhe ec përpara vendi drejt zhvillimit. Ke më pas politikë tjetër, konflikt, konflikt, konflikt, mungesë investimeve, përçarje dhe arsyetime. Janë dy ofertat. Një e kemi parë qe 6 vjet që z. Kurti arsyetohet në mënyrë banale me estetikën e tij”.
Ismaili për presidentin: Kurti ka qenë i bindur se propozimi ishte i pandershëm dhe s’do të realizohej
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, duke folur për çështjen e presidentit, çështje e cila e çoi vendin sërish në zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka ditur se propozimet e tij kanë qenë të pandershme dhe nuk do të realizohen.
Ismaili në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se ndonëse janë parti opozitare, nuk do të thotë se kanë qëndrime të njëjta për një situatë.
“Është e pandershme, kjo ka qenë si të themi ne bëhuni ju edhe AAK-ja dhe nxirreni një president dhe ne ua mbështesim. A do të kishte mundur Kurti të ulej me Haradinajn dhe ta nxjerrin një president të përbashkët. Nuk mund t’iu thuash tri partive të ndryshme unë po e ruaj qeverinë time, nuk dua të bëjë kompromis me askënd por ju tentoni të bëni bashkëpunim edhe pse jeni parti të ndara. Pse jemi opozitë ne ndoshta nuk e shohim situatën njëjtë. Pra është e pandershme kur ti e di se janë tre persona me pikëpamje të ndryshme dhe iu thua ejani me një pikëpamje për një kohë të shkurtë dhe unë po iu mbështesë”, ka deklaruar Ismaili.
Ismaili ka thënë se Kurti ka qenë i bindur dhe e ka ditur se propozimi i tij nuk do të realizohej por këtë do ta përdorë në elektorat për të thënë se ka qenë zemërgjerë.
Qytetarët e Kosovës më 7 qershor do t’u drejtohen kutive të votimit edhe një herë, për të pestën herë në 16 muajt e fundit, nëse llogariten edhe dy rundet e lokaleve.
Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes së Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut, mirëpo këta emra nuk gjetën mbështetjen e partive opozitare.
Ismaili për koalicionin në Prishtinë: Nuk ka qenë e lehtë
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se nuk ka qenë e lehtë hyrja në koalicion në Prishtinë me kryetarin Përparim Rama.
Ismaili ka thënë se ai kishte garuar me programin e tij, por qytetarët ia dhanë besimin kandidatit të LDK-së, Përparim Rama edhe për një mandat.
“E para nuk ishte e lehtë. Me z. Rama nuk kam krijuar listë të përbashkët. Partitë garojnë me dëshirën për të fituar, momentin kur nuk fiton atëherë kanë përgjegjësi se çfarë të bëjnë me elektoratin që e mbledhin rreth vetes. Në Prishtinë ka qenë një situatë tjetër, qyteti ka mbetur i bllokuar, nuk ka pasur shumicë për disa muaj me radhë. Erdhi situata ku kishte bllokadë edhe në nivelin qendror e edhe në nivel lokal në Prishtinë. Këtu vjen njëfarë përgjegjësie. Unë dola forca e dytë politike në Prishtinë, si e tillë mund të luaja rol. Mund të vazhdoja krizën politike edhe në Prishtinë, apo u desh të mendoja më gjatë e mënyrë më racionale, se çfarë të bëjë me përgjegjësinë e marrë”, tha Ismaili në “Interaktiv” të KTV-së.
Ismaili ka thënë se qytetarët e Prishtinës janë përcaktuar për vizionin e Përparim Ramës.
“S’mund të mallkojë qytetarët e Prishtinës pse e kanë zgjedhur, e as nuk mund t’i them vetes shiko nuk u zgjedhe ti e le të prishet Prishtina me ka krejt”, tha Ismaili.
Përparim Rama më 6 maj konfirmoi finalizimin e marrëveshjes së bashkëqeverisjes me PDK-në, ndonëse LDK-j mohoi koalicionin me PDK-në në kryeqendër.
A e la PDK-ja peng Limajn? – Ismaili: Kemi qenë kundërshtarë politikë, ky realitet nuk zhbëhet për një ditë
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, e ka komentuar mbështetjen e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj për PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit. Ismaili ka thënë se edhe në takimet që kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar me Limajn ia ka bërë të qartë që nuk e sheh në listën e PDK-së.
Ismaili në emisionin “Interakitv” në KTV, ka thënë se megjithatë fakti që për një periudhë të gjatë kohore kanë qenë kundërshtarë politikë është realitet që nuk zhbëhet për një ditë.
“Hamza e ka treguar pozicionin e tij në relacion me Limajn, ka treguar qartë që nuk e sheh në listën e PDK-së. Koha nuk ka qenë e gjatë për të vendosur, nga observuesi i jashtëm shpeshherë partitë politike e konsiderojnë që është lehtë që një plus një të bëjnë dy. Ta krijosh atë sinergjinë duke mos prodhuar efekte anësore është shumë e vështirë për një kohë të shkurtër. Ajo që ka ndodhur sot të jep të kuptosh që pa ndonjë interes për njëri-tjetrin, të jep mundësinë të krijosh diçka për të ardhmen. Afati i shkurtër e ka bërë të pamundur të përgjigjen të gjitha pikëpyetjet. Ka një hapësirë të madhe kohore në mes. Kemi qenë në dy tabore të ndryshme, kemi garuar kundër njëri-tjetrit. Ky realitet nuk zhbëhet për një ditë”, është shprehur Ismaili.
Të hënën, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës. Limaj për këtë ka njoftuar në një shkrim në Facebook, pas një takimi me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Limaj është shprehur se ky bashkëpunim është mbështetje për vlerat e luftës çlirimtare dhe për bashkëluftëtarët që ndohen në Hagë.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shkruar për takimin me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn, dhe mbështetjen e tij për PDK-në në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Hamza e ka quajtur hap të rëndësishëm për një bashkëpunim afatgjatë politik, institucional e qeverisës.