Arbëri

Miratohet rezoluta për hapjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

16:39 - Me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar Propozim-rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Ky propozim është bërë nga deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj, transmeton KP.


Anita Muriqi zgjidhet anëtare e Komisionit të Pavarur për Media

16:34 - Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Anita Muriqin si anëtare tjetër e Komisionit të Pavarur për Media.

Muriqi mori 51 vota nga 88 deputetë që votuan.


Muja Ferati zgjidhet anëtar i Komisionit të Pavarur për Media

14:48 - Kuvendi i Kosovës me 46 vota ka zgjedhur Muja Feratin anëtar të Komisionit të Pavarur për Media, me mandat dy vjeçar.

Ndërsa, anëtari i dytë do të zgjidhet në raund të dytë të votimit në mes të Anita Muriqit dhe Jeton Mehmetit. Muriqi ka marrë 38 vota, ndërsa Mehmeti 35, raporton KsP.

Ky raund i votimit do ta zhvillohet pas pauzës së Kuvendit, në ora 15:30.


Kuvendi miraton Rezolutën për heqjen e roamingut me Shqipërinë

12:45 - Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Rezolutës për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë.

Rezoluta e propozuar nga GP i PSD-së, ka marrë 69 vota pro.


Raporti i Avokatit të Popullit, deputetët kritikojnë mospraninë e tij në seancë

12:22 - Deputetët po e shqyrtojnë raportin vjetor financiar të Avokatit të Popullit për vitin 2017. Kryetari i Komisionit për Financa Publike Lumir Abduxhiku, tha se raporti është i mirë dhe shuhet se financat janë menaxhuar mirë dhe nuk ka pasur tejkalime të planifikimeve.

e LDK-së, Lirije Kajtazi, theksoi se raporti i Avokatit prezanton të gjeturat të cilat vazhdojnë me qenë shqetësuese pasi bartën shumë rekomandime nga viti në vit duke mos pasur përkujdesjen e institucioneve që t’iu përgjigjen atyre qysh e kërkon ligji.

“Vazhdon me qenë shqetësim zvarritja e procedurave në gjykata me një mesatare të theksuar deri në tetë vite e cila flet edhe për nivelin e zbatimit të ligjit në Kosovë dhe po ashtu avokati i popullit evidenton çështje të cilat edhe më herët kemi prezantuar si domosdoshmëri e punës dhe obligimeve edhe të këtij Kuvendi edhe institucioneve”, tha Kajtazi, shkruan KsP.

Ajo shtoi se edhe mbrojtja e fëmijëve është shqetësues, pasi ka rritje të prekjes së fëmijëve nga narkomanët edhe në moshën 12 vjeçare dhe fatkeqësia është edhe më e thellë se edhe 9 vjeçarët janë prekur nga narkomanët.

Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjeku-Topalli tha se ky raport prezanton problemet që kanë nevojë për përmirësime në të ardhmen.

“Në rastet e paraqitura në këtë raport është pasqyruar puna e institutit të Avokatit të Popullit sikundër edhe të vëmë gishtin mbi dukuritë abuzive. Përtej kësaj Avokati synon të qartësoj rrugët që duhet ndjekur për të krijuar kulturën e shërbimit cilësor dhe të ndershëm ndaj qytetarëve. Raporti vjetor përmban refleksionet tona për çështjet më të rëndësishme të prezantuara gjatë vitit si dhe evidenton probleme që kanë nevojë për përmirësime në të ardhmen”, u shpreh ajo.

Në emër të VV-së, deputeti Sami Kurteshi, kritikoi për mos praninë e Avokatit të Popullit për të prezantuar raportin.

“Kjo vërejtje duhet të vlej dhe kërkohet nga Avokati i Popullit që të vijë këtu dhe të raportoj sipas obligimit kushtetues të nenit 135, paragrafi 1. Prandaj kërkoj dhe njëherë që kjo seancë t’i mundësoj Avokatit të Popullit të vij këtu dhe të paraqes raportin vjetor sepse ka të bëjë me gjetjet e shkeljes së shtetit te të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë”, tha Kurteshi.

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, tha se institucionet e Kosovës nuk marrin parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit, por siç tha ai marrin pjesë aktive në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Shembull e kemi detyrimin flagrant për të paguar shpenzimet e energjisë elektrike për veriun e vendit, ose për faturat e ujit përmes buxhetit të paguhen edhe për veriun. Edhe në këtë raport vërehet ajo që është pasqyruar bukur shumë që realizmi i të drejtave të njeriut nuk mund të ketë as respektim të drejtave të njeriut ku sistemi i drejtësisë është pran falimentimit”, theksoi Krasniqi.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka ftuar të gjitha institucionet e Kosovës që t’i zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit.

“Ajo që mbetet shqetësuese është mos zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga cilido institucion. Ky është shqetësimi që duhet të ngrihet dhe unë ftoj gjitha institucionet se mbi të gjitha duhet të shohin me seriozitet dhe t’i zbatojnë rekomandimet e këtij institucioni, ngase nëse nuk zbatohen këto rekomandime bëjnë shkelje të dyfishtë te të drejtave të njeriut”, u shpreh Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli propozoi që të shtyhet kjo pikë për më vonë gjatë ditës në mënyrë që të vijë në seancë edhe Avokati i Popullit.

“Do ta bartim deri këtë pjesë që t’i japim mundësi avokatit të popullit që të vije në seancë. Por në qoftë se e vazhdojmë këtë formë do të jetë secili qysh ta vendos, kush donë vjen pastaj e presim, pastaj e votojmë derisa dëshiron, kush na pëlqen nuk e kritikojmë, kush s’na pëlqen e kritikojmë se s’po na respekton. Keni parasysh nga dita e hënë është ditur, Shkup-Prishtinë është një orë e gjysmë, dy orë punë kanë qenë për të ardhur në Kuvendin e Kosovës për ta paraqitur një raport në Kuvend. Tre ditë konferencë, kjo është çështja e cila le të vazhdoj por mos të mbaj dikush moral brenda kësaj seance se po thyhet rregullorja, s’po respektohet, s’po respektohet Kushtetuta. Kjo pjesë kalon për pikën e radhës”, tha Veseli.

Seanca po vazhdon edhe me pikat tjera të rendit të ditës.


Miratohet raporti për ndihmë juridike falas

12:10 - Deputetët e Kuvendit kanë shqyrtuar dhe miratuar raportin vjetor të Agjencisë për ndihmë Juridike Falas për vitin 2017.

Të gjitha partitë e kanë përkrahur këtë raport duke e vlerësuar punën e kësaj agjencie, derisa kanë kërkuar nga institucionet që ta ndihmojnë edhe me shumë këtë agjenci.

Raporti u votua me 56 vota për, një votë kundër dhe 7 abstenime.


Kuvendi voton programin për zbatimin e MSA-së

11:08 - Pas debatit mes deputetëve për ngarkesën e seancave të Kuvendit, u votua programi kombëtar për zbatimin e MSA-së.

71 vota ishin për, 1 kundër dhe 4 abstenime.

Po ashtu deputetët miratuan edhe strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036. Strategjia mori 66 vota për, 5 kundër dhe 3 abstenime, shkruan KsP.

Deputetët po ashtu miratuan edhe raportin vjetor të zyrës së rregullatorit për energji për vitin 2017, e cila mori 47 vota për, 24 kundër dhe 8 abstenime.

Seanca e sotme e Kuvendit është vazhdim i seancave të papërfunduara.


Konjufca ka vërejtje për mënyrën e thirrjes së seancave

11:00 - Seanca e Kuvendit ka nisur me polemika për mos thirrje të seancave të rregullta dhe grumbullimi i pikave të shumta.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, theksoi se edhe kjo seancë sot është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme, meqë është bërë vetëm me një email, e jo përmes Kryesisë së Kuvendit, shkruan KsP.

“Unë mendoj që seanca është problemi dhe jo kjo pika e MSA-së në veçanti, pse, sepse kjo seancë më së pari është thirrur në mënyrë të parregullt. Kjo seancë është thirr në mënyrë elektronike. Unë nuk po e di kur emaili e ka zëvendësu Kryesinë e Kuvendit. Ky është suspendim i institucioneve të cilat i kemi krijuar vet. Sa i përket agjendës së ngarkuar të Kuvendit përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë mazhoranca e mbi të gjitha kryeministri dhe Qeveria për shkak që kryeministrit më e rëndësishme i duket me shku me e pa një rrugë si po ndërtohet sesa me ardhë në Kuvend me dhanë përgjegjësi. Si duket ai e ka keqkuptuar përgjegjësinë”, tha Konjufca.


Nis seanca e Kuvendit, 80 pika në rend dite

Kuvendi i Kosovës ka nisur punët për seancën e radhës në të cilën do të jenë 80 pika në rend dite.

Qysh në fillim të saj ka pasur diskutime në lidhje me vazhdimin e kësaj seance, ku Bilall Sherifi nga Nisma propozoi që të vazhdohet me këtë seancë dhe me vazhdime çdo ditë, edhe në fundjavë, raporton Koha.net.

Edhe deputetët tjerë po pajtohen që të ketë seanca të vazhdueshme në mënyrë që të përfundohen këto 80 pika të mbetura.