Arbëri

Haradinaj ia kthen Kurtit, ‘Merru me partinë tënde të ndarë’

Kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për media sot ka komentuar deklaratat e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të dala nga Tryeza me subjektet politike.

Konkretisht Haradinaj ka komentuar mbi deklaratën e Kurtit ku ky thotë se “kryeministri Haradinaj është me qera nga presidenti Hashim Thaçi” dhe se ai duhet të japë dorëheqje.

Kryeministri Haradinaj e ka porositur Kurtin që të merret me partinë e tij të ndarë, ngase “po duket që është i pa punë”. Haradinaj po ashtu tha s si kryeministër po i kryen detyrat e tij të caktuara nga Kuvendi dhe Kushtetuta.

“Sa i përket zotit Kurti, tani ai është si i pa punë, do të thotë duhet me i riparu dëmet që i kanë ndodhur me ndarjen në parti. Po kërkon tema, e kuptoj. Kam kaluar nëpër këtë kohë që po kalon ai. S’kam diçka më shumë me i thënë. Po i kryej detyrat që mi ka caktuar Parlamenti, Kushtetuta e vendit. Me respekt për të gjithë, por në shërbim të qytetarëve vetëm, jo dikujt tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka folur edhe për vizitën në Vatikan, ku është pritur në audiencë të mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Haradinaj tha se Kosova ka vendosur marrëdhënie të përhershme dhe strategjike me Vatikanin për faktin se, sipas tij, fokusi i bisedës ka qenë njohja e Kosovës nga Vatikani dhe ka përparime në këtë drejtim.

“Tema e njohjes kësaj herë ka qenë fokus i bisedës, dhe kam pasur rastin në tri perspektiva me shpjegu pikëpamjen tonë, të Kosovës, pra rëndësinë e njohjes jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe me gjerë. Mendoj që si temë tani është shumë prezent , pra mundësia e njohjes, por për kohë nuk mund të flas se kur mund të ndodhë. Edhe përgjigja e Papes, e atit të shenjtë është se ‘e kam në zemër popullin e Kosovës, e ndiej se do të jeni bashkë me popujt e tjerë’, dhe mendoj se është një pozicion shumë i qëndrueshëm dhe domethënës. Por mos e teprojmë me paralajmërime prej nesh, sepse mendoj që është një situatë e mirë për vendin”, citon KosovaPress kryeministrin Haradinaj.

Haradinaj ka folur po ashtu për disa prona në Deçan që janë të njohura në favor të Manastirit të Deçanit me një vendim të Kushtetueses dhe nuk po zbatohen nga komuna e Deçanit. Ai ka thënë se shpreson se do të ketë zgjidhje dhe se konfliktet pronësore janë tema të gjykatave, por janë edhe të ndjeshme. Megjithatë ai ka thënë se “siguron se qytetarët e Dukagjinit çdo herë kanë pasur kujdes ndaj manastireve”.

“Konfliktet pronësore janë tema të gjykatave, por janë edhe të ndjeshme konfliktet për toka, për prona dhe nuk do të kisha mbajtur ndonjë qëndrim përpos me respektu ligjin dhe procedurat tjera. Por ju them se konfliktet pronësore vërtet janë tema të ndjeshme dhe shpresoj që të gjendet një zgjidhje. Ajo që dëshiroj me thënë është se këto manastire kanë jetu në mes shqiptarëve ndër shekuj, do të jetojnë ndër shekuj në mes shqiptarëve. Pra çdo herë në atë respekt të ndërsjellë që ka ekzistuar”, ka thënë ai.

Kryeministri ndër të tjera ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë për anëtarësim në organizata të huaja, po ashtu edhe në Interpol për siguri të vendit, rajonit dhe më gjerë.