Arbëri

Haradinaj takon Papën në Vatikan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot në orët e paradites me Papa Françeskun.

Takimin e ka konfirmuar për Koha.net, Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës.

Në takim, siç mëson Koha.net, është biseduar për tema të përgjithshme, ndërsa Haradinaj e ka falënderuar Papën për pritjen.

Po ashtu, kryeministri e ka falënderuar Atin e Shenjtë për përkushtimin e tij në raport me vlerat e përbashkëta.

Më vonë gjatë ditës pritet të lëshohet komunikata për media si dhe fotografitë nga ky takim.

Dje, kryeministri Haradinaj, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Vatikan, është takuar me Sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, të cilit i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu, Haradinaj në orët e pasdites së djeshme ka takuar Arbëreshët e Italisë, të cilët tha se ndër shekuj e kanë ruajtur identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane.

“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me disa prej tyre, gjatë vizitës që i bëmë Kishës së Shën Thanasit dhe Kolegjit Grek në Romë, institucione këto që kontribuuan në ruajtjen e kësaj tradite. Arbëreshët e Italisë, kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët dhe janë një vlerë e ruajtur e jona që duhet ta çmojmë”, u shpreh Haradinaj.