Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“90+ viktima”, KFOR-i me mesazh para protestuesve në Zveçan

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të shtunën ka vendosur një mesazh para protestuesve në komunën veriore të Kosovës, Zveçan.

Serbët në Zveçan po protestojnë për të 13 ditë, që kur u synua që në objektet komunale në katër komunat veriore të hynin kryetarët shqiptarë. Ditët e para të protestës ishin të tensionuara, madje pati edhe të lënduar nga radhët e KFOR-it. Por ditëve të fundit, numri i protestuesve është ulur dhe ato janë të qeta.

“KFOR-i pësoi 90+ viktima në angazhimin tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt e të qetë për të gjitha komunitetet”, shkruhej në mesazhin që KFOR-i e ka vendosur në një karrige para protestuesve në Zveçan.

Serbët po kërkojnë që njësitet speciale të Kosovës të largohen nga objektet komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut.

Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa kanë fajësuar Kosovën për zhvillimet e fundit.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm të organizojë zgjedhje të reja në veri, por së pari, sipas tij, duhet të largohen protestuesit dhe të garantohet një fushatë e drejtë, pa ndërhyrjen e siç i cilëson ai, bandave kriminale që dirigjohen nga Beogradi.