Me shifra alarmante të COVID-19 janë përcjellë tri ditët e para të muajit shtator në Kosovë. Vetëm në këtë periudhë 72-orëshe, kanë humbur jetën 80 persona si pasojë e virusit. Nga 80 të vdekurit në këto tri ditë, nëntë prej tyre kanë qenë të moshës më të re se 40-vjeçare duke treguar edhe një herë se vala e variantit “Delta” po prek rëndë edhe moshat e reja.
Të premten, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 26 vdekje në 24 orët e fundit. Prej tyre, katër persona ishin nën moshën 40-vjeçare: Tre në grupmoshën 30-39 dhe një i grupmoshës 20-29-vjeçare. Më 2 shtator, të enjten, në Kosovë për 24 orë vdiqën 32 persona. Prej tyre dy ishin të grupmoshës 30-39 vjeçare, ndërsa një i grupmoshës 20-29-vjeçare. Ndërsa në ditën e parë të shtatorit u regjistruan 22 vdekje, me dy prej tyre po ashtu të grupmoshës 30-39-vjeçare.
Virusi më së shumti ka marrë jetën e atyre në moshë më të shtyrë, por se grupmoshat e reja vazhdojnë të jenë ata që po e marrin më së shumti virusin. Vetëm të premten, nga 1448 rasteve të reja pozitive, 715 i takojnë grupmoshave më të reja se mosha 40-vjeçare, me 44 prej tyre që janë fëmijë nga 0-9 vjeç.
Sa i përket infektimeve, për tri ditë u regjistruan afro 5 mijë raste. Më së shumti raste pati më 1 shtator kur ishin 1894 raste të reja, duke pasuar me nga një rënie prej 200 rastesh në ditë më 2 e 3 shtator. Të enjten pati 1612 raste, e 1448 të premten.
Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 150 mijë e një rast me COVID-19. Prej tyre 120 mijë e 892 janë shëruar, ndërsa kanë humbur jetën 2584. Janë edhe 26 mijë e 525 raste aktive.
Edhe
Dy të vdekur nga COVID-19 të enjten në Kosovë
Situatë e rëndë vazhdon të jetë edhe në spitale. Aktualisht janë të hospitalizuar 1209 pacientë, me 79 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. 1019 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
E shumica e të hospitalizuarve, sipas mjekëve, janë të pavaksinuar. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, deri tash janë administruar rreth 900 mijë vaksinime në vend. Prej tyre 305 mijë qytetarë janë të vaksinuar me të dyja dozat.