30 ditë paraburgim i është caktuar të miturit E.V., i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçarit Rijad Hyseni gjatë javës që lamë pas.
Gjykata Themelore në Prishtinë këtë vendim e ka marrë nën dyshimet e bazuara se i njëjti ka kryer veprën penale vrasje e rëndë, si dhe për shkak të posedimit të paautorizuar të armëve.
Prokuroria Themelore e Prishtinës për KOHËN ka thënë se janë duke vazhduar hetimet intensive për këtë vepër penale.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së martës së kaluar, përderisa Rijad Hyseni ishte duke shkuar në shkollë dhe ishte therur me thikë nga një i mitur tjetër, i cili vijon mësimin në një shkollë tjetër.
Skender Halimi, drejtor i shkollës fillore “Hilmi Rakovica, nxënës i së cilës ishte Rijadi rrëfen për ngjarjen që ka ndodhur, duke u emocionuar gjatë kohës që flet për të.
Në këtë shkollë prania e psikologut është vetëm 3 herë në javë. Sipas Halimit, ai është i nevojshëm të jetë në shkollë çdo ditë të javës, pasi do të ndihmonte në evitimin e këtyre ndodhive.
Nazmije Jashari, e cila ishte mësuese e Rijadit për 5 vjet me radhë, rrëfen se çfarë nxënësi ishte ai, përderisa bën apel për vetëdijesim që të mos ndodhin më ngjarje të ngjashme.
“Fëmijë i mbarë, i dashur që ka sjellë asnjëherë probleme. Gjithë fëmijët janë prek nga ky rast. Të punojmë në atë drejtim që të vetëdijesohemi se problemet nuk zgjidhen me dhunë. Të mundohemi të zgjedhim me fjalë dhe komunikim, kjo nuk është zgjidhje”, ka thënë ajo.
Për këtë ka reaguar edhe anëtari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Nexhmi Hoxha, i cili po ashtu është kryetar i Këshillit të Prindërve në këtë shkollë.
Ai fton institucionet të punojnë sa më shumë në këtë drejtim, përderisa thotë se prania e psikologëve nëpër të gjitha shkollat është shumë e nevojshme.
“Fatkeqësisht e kemi rastin kur një psikolog i mbulon dy shkolla. Është shumë pak. Shohim që fëmijët kanë nevojë të konsultohen me psikologë...”, ka thënë ai
Ndryshe, Policia e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur çka shtyu deri te kjo vrasje.