Më 7 Mars të vitit 1887 në Korçë është hapur shkolla e parë shqipe. Kjo datë, e konsideruar fitore e madhe e popullit shqiptar, shënohet si Dita e Mësuesit.
Drejtor i shkollës së parë ishte Pandeli Sotiri, e mësues Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e të tjerë.
Kontributi i tyre dhe i shumë të tjerëve u vlerësua lart, si për kombin ashtu edhe për arsimimin shqip.
Më 7 mars shënohen aktivitete të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë.
“Të dashur mësimdhënës. Po e shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare. 7 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision, sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet. Prandaj dhe kujtojmë me nderim të gjithë ato mësimdhënëse e mësimdhënës që i falën jetën arsimit shqip ndër vite”, deklaroi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Haradinaj uron mësimdhënësit: Duhet ta rrisim ndërgjegjësimin për rolin jetik që kanë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, ka thënë se duhet të rritet edhe më tej ndërgjegjësimi për rolin jetik që mësimdhënësit japin çdo ditë për arsimimin dhe zhvillimin e gjeneratave.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se gjatë historisë së popullit shqiptar, mësimdhënësit ishin ata që brumosën breza të tërë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.
“Gjatë historisë së popullit tonë, ishin mësimdhënësit ata që brumosën breza të tërë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Janë pikërisht mësimdhënësit tanë që edhe në kohë të errëta të robërisë nuk reshtën së punuari në përhapjen e diturisë, duke u bërë udhërrëfyes për shumë gjenerata në përpjekjet tona për liri e pavarësi”, ka thënë Haradinaj.
7 Marsin e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Gëzuar ‘7 Marsin’ mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj jush”, shkroi ai në Facebook.
“Të dashura mësimdhënëse e të dashur mësimdhënës, në emër të çdo prindi e kujdestari ua urojmë përzemërsisht 7 Marsin! Qofshi të nderuara e të nderuar prore, dhe krenare e krenarë përherë me frytet e mundit tuaj të përditshëm për më të çmuarit e shoqërisë: nxënësit tuaj - fëmijët tanë!”, thuhet në mesazhin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.