Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Qendra për Kurajo Politike (CPC) në Tryezën e rrumbullakët që mbahet sot do të prezantojnë gjetjet e punimit për diskutim “Studimet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik dhe në atë Juridik të Universitetit të Prishtinës”, si dhe do të vënë në diskutim çështjet në vijim, të cilat janë rezultat i hulumtimit:
A) Agjencioni i Kosovës për Akreditim ka shërbyer deri më tash më tepër si një mekanizëm për verifikim formal të plotësimit të kushteve për studimet doktorale, pa u përqendruar në dimensionet përmbajtjesore, si cilësia e personelit akademik dhe e planprogramit. Vërejtjet kryesore që u parashtruan në intervista kanë të bëjnë me vlerësimin e kompetencave të profesorëve dhe mentorëve në studimet doktorale sa i përket njohjes së gjuhës angleze, apo të gjuhëve të tjera botërore, si dhe të kompetencave të tyre për hulumtim shkencor.
Çështjet për diskutim:
- Ndryshimi i procesit të vlerësimit nga ana e ekspertëve të jashtëm për studimet doktorale, përmes krijimit të një komisioni të veçantë të ekspertëve të jashtëm që kanë përvojë të dëshmuar në ofrimin e studimeve doktorale, dhe që do të merreshin me akreditim vetëm për këtë nivel të studimeve;
- Ndarja e kriterit të akreditimit të programeve doktorale nga titujt e profesorëve universitarë, përmes akreditimit të profesorëve për mësimdhënie dhe mentorim, me ç’rast ata do të vlerësoheshin përmes hulumtimeve, përkatësisht punimeve shkencore, dhe jo përmes titujve universitarë, të cilët mjaft shpesh nuk korrespondojnë me kompetencat e bartësve të tyre;
- Komentorimi si një zgjidhje e pjesshme nëse nuk përcillet me rritjen e kapaciteteve vetjake të profesorëve për mentorim, si dhe me aftësimin adekuat të tyre për këtë. Trajnimi nga ekspertë të fushave përkatëse për stilet e mentorimit dhe certifikimin për mentorë, e cila bëhet përmes dhënies së provimit të mentorimit;
- Për avancimin e studimeve të doktoratës dhe integrimin në komunitetin shkencor ndërkombëtar duhet shqyrtuar mundësia që temat e doktoratës të shkruhen në gjuhën angleze. Kjo, pos asaj që punimet e doktoratave do t’i bënte të testueshme në softuerin për detektimin e plagjiaturës, njëkohësisht do ta mundësonte edhe aplikimin e suksesshëm të komentorimit me profesorë ndërkombëtarë;
B) Konkursi për pranim në programet doktorale ka përfshirë organizimin e një provimi me shkrim për kandidatët, dhe ky ka mbartur me vete një vlerë totale të pikëve që ka qenë më e madhe se shuma e tërësishme e pikëve që i mbartnin të gjitha kriteret e tjera së bashku, të tilla si njohja e gjuhës së huaj, botimet e ndryshme me recension ndërkombëtar, etj. Po ashtu, numri i studentëve doktoralë është në shpërputhje të theksuar me kapacitetet mentoruese të profesorëve, dhe kjo në një masë të madhe e dëmton cilësinë e studimeve dhe të hulumtimit doktoral. Për më tepër, në të kaluarën ka patur studentë që janë pranuar edhe pa e njohur anglishten, gjë që është pengesë thelbësore për zhvillimin e hulumtimeve hkencore dhe për arritjen e cilësisë adekuate të punimeve të doktoratave.
Çështjet për diskutim:
- Nevoja për organizimin e provimeve pranuese për kandidatët për studime doktorale, dhe çfarë duhet të jetë vlera e këtij provimi krahasuar me kriteret e tjera për pranimin e tyre:
- Sigurimi i proporcionalitetit midis numrit të studentëve doktoral dhe atij të mentorëve potencialë;
- Nevoja që kriteri i domosdoshëm dhe eliminues për pranim të kandidatëve në të ardhmen të jetë kalimi i testit në TOEFL;
C) Ndryshimet e deritashme të strukturave udhëheqëse të UP-së, përkatësisht, të rektorit, rëndom janë përcjellë me ndryshimin e rregullativës për studimet e doktoratës. Mos-konsistenca administrative rezultuese ka qenë njëri ndër faktorët që kanë shkaktuar probleme shumë të mëdha në zbatimin e studimeve doktorale të deritashme;
Çështjet për diskutim:
- Domosdoshmëria e konsistencës administrative në studimet doktorale me rastin e ndërrimit të strukturave menaxhuese të Universitetit.
D) Kërkesa që një pjesë e konsiderueshme e disertacionit të doktoratës të kandidatit duhet të botohet në një revistë shkencore ndërkombëtare nga fusha përkatëse, e cila ka recension ndërkombëtar, dhe që është me impakt-faktor ndërkombëtar.
Çështjet për diskutim:
- Duke pasur parasysh konkurrencën për botime në revistat ndërkombëtare me impakt-faktor, si dhe procesin tejet të gjatë të recensionit të dorëshkrimeve nëpër këto revista, ky kusht, me shumë gjasë do ta bllokojë progresin e studentëve në përpjekjet për t’i kryer studimet e tyre të doktoratës.
E) Krijimi i një raporti dominues të hulumtimit në raport me mësimdhënien do ta mundësonte rritjen e cilësisë së studimeve të doktoratës, meqë profesorët mentorë do të thellonin ekspertizën e tyre për t’i udhëhequr në mënyrë cilësore përgatitjet e temave të studentëve doktoralë. Në UP nuk ekziston ndonjë prirje institucionale që profesorët e prirë ndaj hulumtimit të lirohen nga obligimet e mësimdhënies, dhe posaçërisht në nivelet më të ulëta, ashtu që të kenë më tepër kohë për t’u përqendruar në aktivitetet e tyre hulumtuese-botuese. Hulumtimet shkencore janë rezultat i punës të profesorëve të veçantë, më tepër se rezultat i projekteve hulumtuese që zhvillohen brenda dhe me përkrahjen e Universitetit të Prishtinës, meqë as 0.1% e buxhetit të UP nuk ndahet për hulumtime shkencore.
Çështjet për diskutim:
- Ndryshimi i proporcionit midis mësimdhënies dhe hulumtimit shkencor duket iluzor nëse hulumtimi nuk stimulohet financiarisht, dhe nëse njëkohësisht profesorëve të Universitetit të Prishtinës nuk ju ndalohet angazhimi në universitetet e tjera në Kosovë.
- Për përgatitjen e temave cilësore të doktoratës, është i domosdoshëm sigurimi i qasjes në bibliotekave elektronike, përkatësisht, qasja në revistat shkencore ndërkombëtare.
- Rritja e nivelit të hulumtimeve dhe kyçja e studentëve të doktoratës në hulumtime përmes funksionalizimit dhe zhvillimit të instituteve shkencore brenda fakulteteve të UP-së, që tash për tash ekzistojnë vetëm në letër.
- Eksplorimi i ideve për krijimin e ndonjë shkolle ose programi alternativ për studime doktorale ndërdisciplinare përmes organizimit të këtyre studimeve me universitete jashtë vendit, dhe sidomos me ato nga rajoni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.