Arbëri

5 të vdekur nga COVID-19 në Shqipëri në 24 orët e fundit

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar pesë të vdekur si pasojë e COVID-19. Është numër më i ulët se të martën kur u raportua për tetë të vdekur.

Mirëpo, shifra e të infektuarve vazhdon të jetë mjaft e lartë.

Siç ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë 672 qytetarë nga testimi i 4050 mostrave. Ndërkohë janë shëruar 494.

Që nga fillimi i pandemisë, në Shqipëri kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 183.282 qytetarë, prej tyre 2893 kanë përfunduar me fatalitet. Janë shëruar 172.958, ndërsa janë 7431 raste aktive.