Vendosja e tarifës prej 5 centësh për qeset plastike ka sjellë rënie të ndjeshme të përdorimit të tyre në Kosovë, ka njoftuar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (AMM) të premten.
Sipas raportit të kësaj Agjencie, të dhënat e grumbulluara nga shitësit me pakicë tregojnë se konsumi mesatar vjetor për vitin 2024 ka qenë rreth 55 qese plastike për person – dukshëm më ulët sesa ishte vendosur targeti, i cili ishte 180 qese për person. Kjo shifër është edhe më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 66.6 qese për person.
Sipas AMM-së, qëllimi i vlerësimit ka qenë analizimi i progresit që nga hyrja në fuqi e udhëzimit administrativ, duke u fokusuar në përputhshmërinë e shitësve me pakicë, koordinimin institucional, sjelljen e konsumatorëve dhe ndikimin e politikës në reduktimin e mbeturinave plastike.
Raporti është hartuar mbi bazën e rishikimit të dokumenteve ligjore dhe politike, si dhe përmes konsultimeve me institucionet dhe palët e interesit. Ai kombinon të dhëna sasiore – si regjistra institucionalë, anketa dhe të dhëna nga tregtarët – me informacione nga vizitat në terren, intervistat dhe diskutimet në grupe fokusi.
“Rëndësia e këtij vlerësimi qëndron në faktin se ofron analizë të bazuar në evidencë për të mbështetur vendimmarrjen e ardhshme, forcimin e mekanizmave të zbatimit dhe përparimin e Kosovës drejt ekonomisë qarkore dhe standardeve mjedisore të përafruara me BE-në”, thuhet në njoftimin e AMM-së.
-
Çmimet në qershor u rritën 6 për qind krahasuar me vitin që shkoi
-
ASK: Shtesat për fëmijë me numrin më të madh të përfituesve në maj
-
Çmimet në maj, gati 7 për qind më shtrenjtë se vjet
-
KEDS-i gjobitet edhe me 110 mijë €, KESCO s’tregon kur fillon kompensimi i konsumatorëve
-
Trefishohet numri i nxënësve duhanpirës në Kosovë