Arbëri

460 gjoba ndaj shkelësve të Ligjit të duhanit

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë shqiptuar 460 gjoba ndaj shkelësve të Ligjit të duhanit në nivel vendi që prej kohës kur kanë nisur aksionet e këtij institucioni. Zyrtari për informim i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se ka pasur raste që gjobat janë shqiptuar edhe dy herë ndaj shkelësve që kanë përsëritur veprën.

“Në vazhdën e inspektimeve për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit të duhanit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektoratit sanitar si trupë inspektuese kompetente për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, deri më tani ka shqiptuar rreth 460 gjoba për persona juridikë dhe fizikë, si shkelës të hasur gjatë inspektimit. Gjoba janë shqiptuar për secilin shkelës pa dallim. Ne jemi duke vazhduar me kontrolle dhe toleranca do të jetë zero ndaj secilit shkelës”, ka thënë Thaçi. “Ka pasur raste kur një operator është gjobitur dy e më shumë herë. Inspektori në secilin rast apo në secilin inspektim, në proces shkruan gjendjen faktike në qoftë se ai/ajo bie ndesh me ligjin pason gjoba. Lartësia e gjobave është e përcaktuar me ligjin e duhanit Ligji Nr. 04/L-156 dhe Ligji Nr. 08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit, varësisht nga shkelja dhe kategoria e personit: fizik, juridik, person përgjegjës, biznes individual”.

KOHA u është drejtuar katër komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë) rreth aksioneve e gjobave, por nuk kanë ofruar statistika. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se ka pasur aksione edhe në këtë komunë dhe po ashtu janë shqiptuar gjoba, por sipas tij, kjo është bërë nga inspektorët e AUV-it dhe nuk kanë të dhëna.

Aksione e gjoba ka pasur edhe në Komunën e Obiliqit.

“Po ka pasur aksion në lidhje me zbatimin e Ligjit të duhanit, gjithashtu ka pasur edhe shqiptime të dënimeve edhe në Komunën e Obiliqit. Për zbatimin e këtij Ligji janë të angazhuar inspektorët e AUV-ut, të gjitha përgjigjet e pyetjeve të parashtruara nga ana e juaj, mund t’i merrni tek AUV-i”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Inspeksionit të Obiliqit.

Njësoj kanë thënë edhe në Komunën e Graçanicës.

“Ju njoftojmë se të gjitha përgjigjet e pyetjeve tuaja mund t'i merrni në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, po ashtu ju njoftojmë se inspektori sanitar komunal nga Departamenti i inspeksionit të Komunës së Graçanicës është institucionalisht në varësi të Agjencisë dhe ka më shumë se një vit që punon për Agjencinë, kështu që ne nuk kemi asnjë juridiksion as përgjegjësi lidhur me këto lloj kontrollesh, prandaj nuk kemi asnjë informacion”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Graçanicës.

Ndërkohë, Zyra e Komunës së Fushë-Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.

Por, të dhëna të ndara nëpër komuna nuk i ka as AUV-i.

“Nuk kemi bërë ndonjë vlerësim regjional apo komunal për shkallën e zbatimit të ligjit. Janë duke u trajtuar barabartë, secila shkelje po ndëshkohet dhe kjo frekuencë kontrolli do të vazhdojë. Kemi pranuar lëvdata mbështetëse si Ministri dhe Agjenci vartëse. Synimi është që ligji të zbatohet në tërësi, për këtë do të punojmë fort. Kultura e duhanpirësve duhet të ndryshojë. Bëhet fjalë për ruajtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, ka theksuar Thaçi.