Kryeqyteti vazhdon të ballafaqohet me ndërtime të egra, mirëpo sipas njohësve të kësaj fushe nuk mund të ketë ndërtimtari të mirëfilltë pa sundim të rendit e ligjit dhe pa planifikim hapësinor.
Kështu është thënë sot në Konferencën e Ndërtimit e emëruar "CONRECON Prishtina 2018".
Konferenca dy ditore e cila është organizuar nga Media Ndërtimi, ka për qëllim diskutimin e problemeve të shumta në fushën e ndërtimit, transmeton ksp.
Drejtori i Media Ndërtimi Valon Vataj ka thënë se ka probleme të mëdha në fushën e ndërtimit dhe sipas tij, konferenca ka për qëllim të zgjedh edhe problemet e mjedisit të cilat shkaktohen nga ndërtimi.
“Ideja e kësaj konference është si rezultat i problemeve të mëdha që kemi në fushën e ndërtimit. Konferenca ka për qëllim që të nxjerr rekomandime, të cilat do ti kontribuojnë zgjidhjes së problemeve në fushën e ndërtimit dhe të cilat do t’i përdorin institucionet lidhur me hartimin e legjislacionit për të qenë si udhërrëfyes apo materiale të mjaftueshme për të zgjidhur këto probleme. Gjithashtu konferenca ka për qëllim të zgjidhe edhe problemet e mjedisit, të cilat shkaktohen nga ndërtimi”, ka thënë Vataj.
Ai ka shtuar se konferenca do të jetë tradicionale, e cila do të organizohet për çdo vit në periudhën e njëjtë dhe do të jetë në kuadër të Evropës Juglindore, ku do të trajtohen tema më specifike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu ka thënë se Prishtina është shndërruar në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor në fushën e ndërtimit. Sipas tij, edhe pse shumë flitet për ndërtimtari, ende ka probleme në këtë fushë.
“Sot është një ditë e rëndësie të veçantë, ku Prishtina është shndërruar në kryeqytet të Ballkanit perëndimor sa I përket fushës së ndërtimit. Dua të besoj që temat të cilat duhet të preken vërtet kanë substancë dhe do të trajtohen në mënyrë më profesionale ashtu siç e do rregulli dhe ligji. Është e vërtet se në Kosovë shumë më tepër flitet për ndërtimtari, por dua të besoj që nuk mund të ketë ndërtimtari të mirëfillt pa sundim të rendit dhe ligjit, pa planifikim hapësinorë e mbi të gjitha pa ekspertizë shkencore dhe pa dijeni”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai beson se konferencat e tilla do të jenë në funksion të kthimit të imazhit dhe besimit në ndërtim.
Gërxhaliu ndër të tjera ka thënë se arkitektura është art, është ekonomi, është integrim dhe mbi të gjitha është komunikim vizuel.
Selim Pacolli nënkryetar i Prishtinës ka thënë se të gjithë janë dëshmitarë se si është ndërtuar Prishtina, e që sipas tij ajo është ndërtuar për 200 mijë banorë, kurse sot ka mbi 500 mijë banorë dhe nuk ka infrastrukturë të bollshme për kokë banori.
“Prishtina nuk posedon infrastrukturë për kokë banori të cilët sot jetojnë në të. Prishtina, sigurisht se e ka të pamundur të qeverisë momentalisht me këtë gjendje, sidomos pas luftës në qytetin e saj, duke pasur parasysh infrastrukturën e cila ishte planifikuar më herët. Mirëpo, ju garantoj se Prishtina, sot është duke punuar dhe është duke bërë vijat e trasha të planifikimit të saj. Si dhe bashkëpunimin me çdo ndërtimtar, dhe çdo byro arkitektonike në mënyrë që ne ti japim fytyrë ndryshe Prishtinës, të cilën ne të gjithë ia dëshirojmë”, ka thënë Pacolli.
Por, sipas tij, është duke u punuar që të ndalohen ndërtimet pa leje dhe të ndërpriten ndërtimet e egra.
Ndërsa, Ardian Olluri, drejtor i Urbanizimit në Prishtinë, tha se ka ndërtime pa leje dhe sot në kryeqytet janë 46 mijë ndërtime pa leje, ndërsa janë legalizuar vetëm 300 ndërtime.
Në këtë konferencë u përmend se në këtë sektor ka edhe vdekje tragjike, ku dje ka humbur jetën një punëtor në Prishtinë, i cili ishte duke punuar në një objekt të lartë, dhe ka rënë prej katit shtatë.