Arbëri

Durmishi: Brenda dy-tre ditësh e marrim raportin se a është stabile Ura e Ibrit

Hysen Durmishi

Foto: Alban Bujari

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë brenda dy apo tri ditë do ta ketë raportin që tregon nëse Ura mbi lumin Ibër është stabile për hapjen për qarkullim të automjeteve.

Ai është shprehur optimist se ura është stabile dhe se do të hapet.

“Siç po e shihni sot jemi duke i bërë testimet për stabilitetin e urës mbi urën Ibër. Kemi filluar para dy dite... Gjatë ditës do të përfundoj ky si proces në mënyrë që brenda dy tri dite të kemi raportin final se a është stabile apo jo ura. Se kur do të hapet ura nuk e di por e di që ura do të hapet se nuk ka arsye që të jetë e mbyllur. Këto janë testimet e fundit.... në bazë të asaj që unë di dhe përvojës si inxhinier kjo është ura më stabile... nëse raporti thotë që nuk është stabile do të vazhdojmë me veprimet e tjera”, ka thënë Durmishi pas bashkëbisedimit të mbajtur në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut me qytetarët mbi çështjen e urës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, gjatë bashkëbisedimit ka theksuar se në aspektin e sigurisë nuk ka arsye që ura të jetë e mbyllur.