Lajmi i transmetuar nga RTK-ja, e që përmban akuzën se një portal në Kosovë kontrollohet nga Radoiçiqi e një tjetër financohet nga Serbia, ka nxitur reagime te komuniteti i gazetarëve. Edhe punonjës të RTK-së janë distancuar nga lajmi, i cili u shpërnda prej shumë eksponentëve të partisë në pushtet.
Ka nxitur valë reagimesh në Prishtinë transmetimi që ia ka bërë RTK-ja në lajmet qendrore raportit të një mediumi të Bosnjë e Hercegovinës, e në të cilin theksohet se portali “Periskopi” është nën kontrollin e Milan Radoiçiqit, ndërsa “Nacionale” ka marrë transaksion milionësh nga Serbia.
Lajmi u shpërnda masivisht në rrjete sociale nga zyrtarë të Vetëvendosjes, subjektit politik që qeverisë me vendin.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u intervistua nga Prokuroria Speciale për disa deklarata publike, i bëri thirrje Prokurorisë t’i hetojë pretendimet e portalit boshnjak, ndonëse në të nuk është publikuar ndonjë provë.
“Në RTK Live është publikuar një hulumtim që ndërlidhet me tendencën e Serbisë për të blerë media në Ballkan. Në këtë rast përmenden dy portale, që është ‘Periskopi’ dhe ‘Nacionalja’, që thuhet sipas hulumtimit se financohen nga Serbia, Qeveria e Serbisë. Kam ofruar pra, para prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga RTK Live, sepse është e rëndësishme që të dimë se kush nga portalet financohet nga Serbia”, ka thënë Haxhiu.
E në dy reagime të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të lëshuara gjatë ditës, theksohet se fushata si kjo rrezikojnë sigurinë e gazetarëve të të dyja mediave që janë apostrofuar në artikullin e transmetuar edhe në televizionin publik.
Gjatë ditës, janë distancuar nga lajmi i transmetuar në RTK një numër i madh gazetarësh e redaktorësh të transmetuesit publik. Shumë nga ta shprehën keqardhje për situatën. Por, menaxhmenti i RTK-së nuk ka lëshuar ndonjë sqarim.
Sivjet, Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Në mesin e 180 shteteve, u rendit në të 75-in, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.