Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka paralajmëruar se do të ngre padi ndaj një kompanie private për shkak se disa fshatra të kësaj komune kanë mbetur pa ujë të pijes.
Sipas Pecit, fshatrat Boletinë dhe Zhazh janë pa ujë të pijes tash e katër muaj. Për këtë ai fajëson edhe ujësjellësin, por edhe një kompani private e cila e ka fituar tenderin për rregullimin e pompave të ujit në këto fshatra.
“Qeveria i ka nda mjetet, rreth 45 mijë euro. Qeveria e ka autorizu ujësjellësin për me hap tender për rregullimin e pompave të ujit, e ka fitu tenderin një kompani shqiptare. Procedura ka nisur me dy-tre muaj vonesë. Janë ngjit disa pompa, por pompat e ngjitura nga kjo kompani kanë qenë më të dobëta seç ishin”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Kryetari i Zveçanit ka thënë se më pas kanë zhvilluar takim me ujësjellësin dhe kompaninë private, por siç thotë ai, janë larguar nga takimi pasi “e kemi parë se diçka nuk po shkon”.
“Ujësjellësi e kompania e hidhnin fajin te njëri-tjetri, por në fund banorët e pësojnë. Po mbesin pa ujë”, ka shtuar ai.
Peci ka thënë se qysh sot ka dashur të ngre padi, por “më kanë telefonuar nga kompania, më janë lutur që me prit deri të premten”.
“Tash e kanë një lloj afati”, ka deklaruar ai.
Kërkesat e Komunës, sipas Pecit, është shumë e thjeshtë. Ai kërkon të vendosen pompat e ujit ashtu siç parashihen me kontratë.
Banorët e Zveçanit gjithashtu kanë paralajmëruar protestë. Peci ka thënë se ajo do të mbahet afër stacionit të pompave të ujit në Boletin.