Arbëri

NYT: Grenelli i propozoi Trumpit ta vizitonin Thaçin në Hagë, ai s’e pëlqeu idenë

Richard Grenell - Donald Trump

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, raportohet se i kishte propozuar vitin e shkuar ish-presidentit Donald Trump ta vizitonin bashkë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në paraburgim në Hagë.

Në një artikull për ambiciet e Grenellit për t’u bërë sekretar i Shtetit, prestigjiozja amerikane “New York Times” ka thënë se puna e shkuar e tij nxit pikëpyetje.

Në një pjesë të artikullit flitet për punën e tij lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe raportin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Artikullin NYT ka raportuar se e ka bazuar në intervistimin e 40 personave.

“Në një episod të paraportuar më parë, Grenell propozoi vitin e shkuar një ide për të nënvizuar ankesat e Trumpit se aktakuzat e ngritura nga prokurori i posaçëm Jack Smith ishin politike. Grenell i sugjeroi që Trump t’i bashkohej në një vizitë ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në burgun në Hagë, ku po pret gjykimin për akuzat për krime lufte. Edhe Thaçi u padit nga Smithi, që ka mbikëqyrur ndjekjet penale në Hagë para se të emërohej këshilltar special. Thaçi ka thënë se politika qëndron në themel të akuzave ndaj tij”, ka raportuar prestigjiozja New York Times,  në një shkrim për Grenellin të shtunën. Aty theksohet se “Trumpi s’e kishte përqafuar idenë”. “Një person i afërt me Thaçin ka thënë se i dukej argëtuese ideja e Trumpit dhe rrëmuja e zhurmshme mediatike para burgut të Hagës – por se u vendos që do të ishte më mirë të fokusohej në rastin e tij”. 

Për lidhjen e Grenellit me Ballkanin janë përmendur edhe investimet e dhëndrit të Trumpit në Shqipëri e Serbi. 

Publikisht Grenelli ka thënë se ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smith, intervenoi në momentin kur Kosova dhe Serbia ishin në prag të arritjes së marrëveshjes finale.Grenell ka thënë se aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara u parapri nga negociatat për arritjen e “marrëveshjes finale që përfshinte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale”. Ai ka theksuar se aktakuza kundër Thaçit erdhi në qershor 2020, vetëm pas njoftimit se Thaçi e presidenti serb po shkonin në Shtëpinë e Bardhë.

Jack Smith tani është rikthyer në SHBA për ta hetuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump.